Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Brendshme vizitoi Agjencinë e të Dhënave Personale
E Marte, 05.06.2012
Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së , i kryesuar nga Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit, ka realizuar sot një vizitë pune në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në këtë takim Komisioni është njoftuar nga Mbikëqyrësi kryesor shtetëror, Ruzhdi Jashari, për punën e Agjencisë, për sfidat në përmbushjen e mandatit te saj, si dhe për rolin që duhet të luajë Agjencia në mbrojtjen e të dhënave personale për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Anëtarët e Komisionit janë shprehur të gatshëm të trajtojnë të gjitha çështjet lidhur me funksionimin dhe punën e kësaj Agjencie, pasi kjo është edhe obligim ligjor, bazuar në Ligjin nr.03/L-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Komisioni po ashtu ka njoftuar se Raporti vjetor i punës së Agjencisë për vitin 2011, është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me rekomandime nga Komisioni, zbatimi i të cilave do të mbikëqyret nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.