Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi vizitoi KPMM-në
E Marte, 05.06.2012
Gjatë vizitës së sotme që i bëri Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, u njoftua me të arriturat dhe sfidat që e përcjellin këtë Agjencion. Në këtë takim, kreu i Kuvendit u prit nga drejtori i KPMM-së, Ahmet Tmava dhe bashkëpunëtorët e tij.
Drejtori Tmava, pasi falënderoi për vizitën, njoftoi për angazhimet e KPMM-së, duke u fokusuar në përpjekjen e tyre për harmonizimin e veprimeve në mes të institucioneve relevante në funksion të zbatimit të Ligjit. Tmava, po ashtu njoftoi kreun e Kuvendit edhe për përpjekjet për mënjanimin e operatorëve ilegal të eksploatimit të zhavorit. Lidhur me këtë, ai njoftoi se KPMM-ja ka konfiskuar gjashtë kamionë dhe një ekskavator të operuesve ilegal, ndërkaq, theksoi se me shoqatën "Zhavori" kanë bashkëpunim të ngushtë në luftimin e kësaj dukurie. Duke iu referuar rentës minerare, e cila është miratuar në një nga seancat e Kuvendit, si dhe Raportit të KPMM-së për vitin 2011, Tmava vlerësoi se këto paraqesin të arritura të knaqëshme dhe ndikojnë në përkushtim të mëtejmë në përmbushjen e objektivave të KPMM-së. Ndër sfidat me të cilat drejtori Tmava njoftoi kreun e Kuvendit, ishte edhe mosmiratimi i Strategjisë Minerare, për të cilën kërkoi angazhimin dhe mbështetjen e Kuvendit.
Kreu i Kuvendit, ndërkaq, duke vënë në pah rëndësinë e resurseve minerale tha: "Shfrytëzimi i pasurisë së të gjithëve për të gjithë, në shoqëritë e tranzicionit, nuk është i lehtë", dhe vazhdoi se të luftosh dukuritë negative do të thotë të hasësh edhe në vështirësi. Duke iu referuar rëndësisë dhe rolit të KPMM-së, kreu i Kuvendit tha:" Sfera që mbuloni ju, është sfera më vitale për interesin e vendit". Kryetari i Kuvendit, siguroi drejtorin Tmava dhe anëtarët e Bordit se do të kenë mbështetje të pakursyer në përmbushjen e objektivave të KPMM-së nga ana e Kuvendit.