Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh nga vende të ndryshme të botës

E Marte, 05.06.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një grup studentësh nga SHBA-ja, Anglia, Kanadaja e vende të tjera, të shoqëruar nga Faton Bislimi, profesor në Dalhousie University në Halifax (Kanada).

Takimi u zhvillua në funksion të zgjerimit të njohurive të studentëve të huaj për Kosovën, të cilët do të hartojnë ese me temën "Zhvillimet pas konfliktit në Kosovë", që më pas do të botohet në cilësi të librit.

Para studentëve, kryeparlamentari Krasniqi bëri një shtjellim të gjenezës së problemit të Kosovës dhe një ekspoze të zhvillimeve pasuese historike përgjatë shekullit të kaluar, duke piketuar ngjarjet kryesore që shoqëruan përpjekjet e shqiptarëve për liri. Kryetari Krasniqi u ndal veçanërisht në periudhën e luftës çlirimtare dhe ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.

Krasniqi foli gjithashtu, për negociatat e Vjenës dhe hapat që u ndoqën deri në shpalljen e pavarësisë së vendit. Ai u fokusua edhe në angazhimet e Kuvendit për nxjerrjen e infrastrukturës juridike konform realitetit të ri, me ç'rast potencoi të drejtat edhe garancitë që Kushtetuta e vendit u jep komuniteteve pakicë, veçanërisht atij serb.
Studentët, nga ana e tyre, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen, shfaqën interesim për çështje të ndryshme, që lidhej me rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë së saj dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh nga vende të ndryshme të botës