Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Hënë, 04.06.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, kryetari i komisionit, Lutfi Haziri, informoi anëtarët e komisionit për takimin e mbajtur në Bruksel, më 30 maj 2012, për procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogun për sundimin e ligjit.

Duke folur për miratimin e udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave nga BE-ja, Haziri fillimisht sqaroi se në takimin e 30 majit në Bruksel, nga ana e komisionerit evropian për zgjerim, Stefan Fyle dhe komisioneres së Punëve të Brendshme, Cecilia Malmstrom, të ftuar dhe pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë: zv/ kryeministri Hajredin Kuçi, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri dhe dy kryetarët e komisioneve parlamentare (Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri dhe Komisionit për Legjislacion), kryeprokurori , kryetari i Gjykatës Supreme, Drejtori i Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues tjerë.

"U paralajmërua se ky nivel do të ketë edhe nëngrupe punuese të cilat do të merren me mbulimin e fushave të caktuara, sipas prioriteteve të cilat do të vendosen në takime të përbashkëta. Nga KE-ja përfaqësimi është shumë i lartë, dy komisionerë dhe drejtorë të lartë, të cilët përfaqësojnë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut", theksoi Haziri, duke shtuar se takimi i radhës do të mbahet pas publikimit të Raportit të Progresit, me ç‘rast do të diskutohet mbi prioritetet dhe mandatin e EULEX-it.

Duke vlerësuar se Kosova për këtë proces do të ketë dokument të veçantë, Haziri deklaroi se ajo që e dallon Kosovën nga shtetet tjera është fakti se udhërrëfyesi do të vendoset me një kujdes të veçantë të Këshillit të Ministrave. Sipas tij në dokument thuhet që së paku dy herë në vit duhet të njoftohet Këshilli i Ministrave, për ta vlerësuar progresin e arritur në Kosovë.


Ai sqaroi para anëtarëve të komisionit parlamentar për integrime evropiane se udhërrëfyesi është i lidhur edhe me sundimin e ligjit dhe proceset tjera të kërkuara nga BE-ja.

Duke vënë në pah faktin se në Kosovë do të bëhet vlerësim i kujdesshëm dhe i veçantë, në mënyrë që vendit tonë t'i jepet e drejta për qarkullim të lirë, Haziri vlerësoi se tashmë Kosova po hynë në një proces jashtëzakonisht të vështirë, i cili përmban kritere teknike jashtëzakonisht të vështira për t'i realizuar. Ai shtoi se Kuvendi dhe institucionet tjera duhet t'i realizojnë obligimet e tyre, në mënyrë që të shkurtohet rruga në këtë proces, meqë sipas tij, tërë procesi varet nga progresi i arritur dhe Kuvendi duhet filluar me përgatitjet e pjesës së tij.


"Në Bruksel e kam paraqitur rolin e Kuvendit, jo vetëm sa i përket miratimit të ligjeve, por edhe të Planit të Veprimit të Kuvendit, vlerësimeve që bënë Kuvendi çdo tre muaj, si dhe angazhimit të deputetëve drejt arritjes së progresit. Në këtë pjesë të procesit Kuvendi duhet t'i realizojë kërkesat e paraqitura në dokumentin teknik" , tha Haziri, për të sqaruar më tej se armiku i këtij procesi dhe shqetësim për disa shtete anëtare të BE-së, mbetet azil-kërkimi. "Besojmë se me një angazhim konkret të përbashkët do të ulet trendi i azil-kërkimit nga kosovarët", tha ai.

Duke përsëritur faktin se Kosova është në procese jashtëzakonisht sfiduese sa i përket standardeve të arritura, Haziri falënderoi deputetët për kontributin e tyre në këtë drejtim,duke vënë në pah faktin se gjatë takimit në Bruksel ka pasur vlerësime pozitive sa i përket koncensusit politik në këtë drejtim.

Ai më tej tha se komisionerja Malmstrom ka lajmëruar se më 14 qershor Kosova e merr dokumentin teknik mbi liberalizimin e vizave, duke shtuar se nga mësimet e nxjerra nga shtetet tjera kushtet për vendin tonë rëndohen. Më tej, Haziri sqaroi se në këtë takim nga komisionerja Cecilia Malmstrom janë të ftuar ministrja e Integrimeve Evropiane, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, si dhe kryetarët e katër komunave të Kosovës, duke shtuar se takimi do të jetë formal për pranim- dorëzimin e dokumentit teknik për liberalizimin e vizave.


"Kemi kërkuar që rruga evropiane për popullin e Kosovës të shkurtohet sa më shpejt dhe qytetarët e saj të përfitojnë më shumë", tha Haziri.


Krejtësisht në fund ai sqaroi se gjatë javës së ardhshme në Komisionin për Integrime Evropiane do të ftohen për raportim ministrat të cilët janë të ngarkuar në këto procese: zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, si dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane