Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorët e deleguar permanentë pranë UNESCO-s
E Hënë, 04.06.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ambasadorët e deleguar permanentë pranë UNESCO-s, kryesuar nga z. Ali Zainal, i cili gjendet në një vizitë në Kosovë, që ka për qëllim kryesor njohjen me trashëgiminë kulturore të Kosovës. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë dhe respektin për kontributin që japin ambasadorët, kryekuvendari Krasniqi theksoi se Kosova, si është shtet më i ri, bën përpjekje që t' ju ofrojë të gjithë qytetarëve një shtet të standardeve më të larta me anë të ligjeve, Kushtetutës dhe kulturës qytetare. Shteti i Kosovës ka dalë nga një luftë, e cila nuk ka qenë fetare. Kosova ,theksoi në vijim kreu i legjislativit të vendit, ka trashëguar tolerancë të gjerë fetare, duke ditur se kombi përbëhet nga qytetarë të tri besimeve fetare:myslimane,ortodokse dhe katolike. Kosova ka një traditë të begatshme kulturore të shtresuar gjatë shekujve, madje në çdo qytet bie në sy bashkëjetesa fetare, dëshmi se ky vend ka një qasje të kujdesshme ndaj çdo trashëgime.
Kryesuesi i delegacionit z. Ali Zainal, pasi u falënderua për pritjen, tha:"Jemi dëshmitar se kemi të bëjmë me një popull të madh, ndaj paskan të drejtë shtetet nga bota që po e njohin pavarësinë e Kosovës. Në Kosovë po bëhet shumë për ruajtjen e trashëgiminë kulturore, por edhe asaj natyrore", theksoi ai. Delegacioni vlerësoi lart harmoninë ndërmjet komuniteteve fetare që mbretëron në Kosovë. Ata theksuan se Kosova ka miq në UNESCO, ndaj nuk do të mungojë aktiviteti i ambasadorëve për të ndihmuar Kosovën që të jetë në kuadër të kësaj organizate.
Duke iu përgjigjur interesimit të mysafirëve, kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim të gjerë edhe përbërjes së Kuvendit, të cilin e përbëjnë 95 deputetë nga shumica shqiptare, ndërsa 25 nga komunitetet. Në përbërjen e Kuvendit, theksoi kryetari i Kuvendit Krasniqi, një e treta e deputetëve janë femra.