Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi një delegacion të grupit parlamentar gjerman për Evropë Juglindore

E Premte, 01.06.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion të grupit parlamentar gjerman për Evropë Juglindore, të kryesuar nga Peter Weib, kryetar i grupit, me të cilin diskutoi për situatën e përgjithshme politike dhe atë të sigurisë në vend, reformën zgjedhore dhe kushtetuese, zhvillimin ekonomik etj.

Kryetari Krasniqi, duke shfaqur kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, përkatësisht, dy parlamenteve, shprehu gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet e zgjerohet edhe më tej.

Kryetari i grupit parlamentar gjerman, Peter Weib, shfaqi interesimin për t'u njohur me zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë, me procesin e amendamentimit të Kushtetutës dhe të Ligjit zgjedhor.

Kryetari Krasniqi e njoftoi parlamentarin gjerman me ecurinë e reformave kushtetuese dhe zgjedhore, duke theksuar nevojën e një sistemi sa më të thjeshtë zgjedhor, i cili do t'u përshtatej rrethanave aktuale në Kosovë.

Sa i përket zbutjes së papunësisë dhe zhvillimit të ekonomisë me ritme më të shpejta, kryetari i Kuvendit përmendi energjetikën, pasuritë nëntokësore dhe bujqësinë, si tre sektorët në të cilët duhet përqendruar vëmendja e institucioneve dhe duhet rritur investimet.

Veriu i Kosovës dhe zhvillimet e sotme atje, ishin temë e pashmangshme e këtij takimi. Përkitazi me këtë, kryetari Krasniqi shtroi nevojën e një ndikimi më të madh të Brukselit mbi Beogradin, në mënyrë që ky i fundit të heq kontrollin mbi serbët e kësaj pjese të territorit të Kosovës.

Parlamentari gjerman, Weib, vlerësoi se situata aktuale në veri nuk mund të zgjasë në pafundësi dhe se duhet gjetur zgjidhje graduale edhe për atë pjesë të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi një delegacion të grupit parlamentar gjerman për Evropë Juglindore