Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

E Premte, 01.06.2012




Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme plenare, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti) debatuan lidhur me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Fillimisht, kryetari i Kuvendit njoftoi deputetët se me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka diskutuar lidhur me rolin dhe pozitën e fëmijëve në Kosovë dhe Kuvendit ia ka paraqitur raportin me rekomandime.

Tutje, Krasniqi njoftoi deputetët se raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, znj. Ulrike Lunaçek, përveç adresimit me shkresë, deputetëve të Kuvendit të Kosovës iu drejtohet edhe përmes një video-inçizimi, i cili inçizim u shfaq nga regjia gjatë kësaj seance. Ajo kërkoi nga parlamentarët që të bëjnë më shumë për fëmijët.

Me këtë rast Lunaçek duke iu drejtuar deputetëve tha se fëmijët e shtetit tuaj do të jenë në vendet e juaja në parlament dhe në institucionet e tjera pas 30 apo 50 vitesh, duke shtuar se, më pas ata do të vendosin për politikat të cilat do të ndikojnë në jetën e tyre si pensionist.

Krasniqi duke falënderuar znj.Lunaçek për adresimin që i bëri Parlamentit të Kosovës me rastin e 1 qershorit, falënderoi atë edhe për angazhimin që ka dhënë ajo për Kosovën në drejtim të rrugës së liberalizimit të vizave dhe rrugës për integrime evropiane në institucionet euroatlantike.

Para fillimit të debatit parlamentar për ditën ndërkombëtare të fëmijëve, fëmijët të cilët ishin të pranishëm në sallën plenare, shpërndan disa mesazhe për kryetarin e Kuvendit, nënkryetarin dhe shefat e grupeve parlamentare.

Kryekuvendari Krasniqi po ashtu të gjithë fëmijëve të Kosovës dhe të rruzullit tokësor ua uroi 1 qershorin, duke lexuar edhe njërin nga mesazhet e fëmijëve: leximi i librave me fëmijët tuaj, nxit zhvillimin dhe nxënien.

Kryetarja e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Suzan Novobrdali, duke arsyetuar raportin me rekomandime theksoi se problemet dhe sfidat më të cilat ballafaqohen fëmijët dhe familjet e tyre janë të shumta, duke shtuar se çdo i dyti fëmijë në Kosovë jeton në varfëri absolute dhe se fëmijët në Kosovë jetojnë 11 vjet më pak se sa bashkëmoshatarët e tyre në Evropë.

Më tej ajo ngriti edhe një shqetësim tjetër, atë të abuzimit të fëmijëve, ndërsa, shtoi se mortaliteti i fëmijëve nën moshën 5 vjeçare në Kosovë shënon shifrat më të larta në Evropë.

Duke shpalosur shtatë rekomandimet e komisionit parlamentar, Novobrdali tha se Qeveria në afat sa më të shkurtër kohor të hartojë programin kombëtar gjithëpërfshirës për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë hershme, i cili do të garantojë zhvillimin e plotë të fëmijës si një qytetar i dobishëm dhe produktiv për shoqërinë kosovare.

Bazuar në këto rekomandime u tha se Qeveria duhet të hartojë programe cilësore dhe edukative për prindërit, me qëllim të përmirësimit të ushqyeshmërisë, kujdesit, stimulimit të të nxënit në fëmijërinë e hershme, që do të ofrohen përmes shërbimeve shëndetësore. Më tej u theksua se duhet të hartohen programe edukative cilësore për prindër , edukatorë dhe kujdestar , si dhe të fuqizohen shërbimet sociale për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës dhe keqtrajtimit. Mes tjerash, në këto rekomandime thuhet që të sigurohet se në procesin e riatdhesimit, në mënyrë individuale të shqyrtohet çdo rast, duke marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës, në mënyrë që të kenë qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale.

Deputetja Flora Brovina duke folur në emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se qeveria e vendit i ka kushtuar përkujdesje institucionale fëmijëve në vazhdimësi, duke përmendur planet strategjike të prezantuara nga qeveria të cilat sipas saj parashohin zhvillimin dhe angazhimin institucional për fëmijët. Më tej ajo tha se Kosovës nuk i mungon vizioni, e as angazhimi për hapjen e perspektives për fëmijët që të jetojnë të lumtur.

Ajo renditi po ashtu edhe disa nga të arriturat institucionale në këtë drejtim, ndërkaq mes tjerash theksoi faktin se derisa vite më parë vdekshmëria e fëmijëve ishte më e lartë, aktualisht kjo çështje ka shënuar rënie, duke e konsideruar këtë si të arritur.

Brovina duke theksuar se institucionet e vendit kanë shumë punë për të bërë, si mjaft shqetësuese në këtë drejtim përmendi edhe fëmijët lypsarë dhe punësimin e tyre.

Ajo shtoi se sigurimi i të drejtave të barabarta të fëmijëve dhe sigurimi i jetës së tyre të lumtur kërkon që të ketë më shumë shkolla, vende të lojërave, libra dhe këngë.

Deputetja, Rita Hajzeraj-Beqaj, duke folur në emër të grupit parlamentar të LDK-së, tha se fëmijët kanë nevojë të veçantë për mbrojtje nga shteti dhe se institucionet duhet të sigurojnë një të ardhme sa më të mirë për ta. Në vendin tonë, theksoi ajo, ka mjaft raste kur fëmijëve nuk u sigurohen të drejta, ndërsa vlerësoi se ligjet nuk po gjejnë zbatim, duke përmendur si mjaft shqetësuese edhe faktin që nuk ekziston ndonjë rregullativë e zbatueshme që do t'i mbronte të drejtat e fëmijëve.

Si dukuri mjaft shqetësuese ajo e theksoi edhe peshën e çantave të nxënësve, "Fëmijët në klasën e tretë bartin çanta të rënda dhe pastaj kanë probleme fizike dhe psikike, si pasojë e mos menaxhimit të duhur nga institucionet e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me të drejtat e konventës ndërkombëtare për fëmijët", tha Hajzeraj duke theksuar si problem të radhës edhe kushtet në repartin e gjinekologjisë, në QKUK. Ajo kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë veprime konkrete për këto çështje.

Deputetja Albana Gashi, duke folur në emër të Vetëvendosjes, ngriti një sërë shqetësimesh për pozitën e fëmijëve në Kosovë, duke theksuar se Kosova nuk ka skemë të beneficionit për fëmijët dhe kjo sipas saj duhet të bëhet. Ndërsa, deputetja Kymete Bajraktari duke folur në emër të grupit parlamentar të AAK-së, tha se në Kosovë mungojnë programet apo informacionet shkollore për të drejtat e fëmijëve. Mes tjerash si fakte tejet shqetësuese përmendi punën e detyruar të fëmijëve, përdorimin e drogës, si dhe braktisjen e shkollave. Ndërsa, shefja e grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, tha se për të pasur fëmijë të shëndoshë dhe të edukuar, Kuvendi dhe Qeveria duhet të krijojnë kushte të zhvillimit ekonomik të vendit.

Në vazhdim foli edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja. Ai tha se raportet e UNICEF-it dhe UNDP-së janë të vitit 2008-2009 dhe se tashmë kanë ndryshuar shumë të dhënat.

Buja tha se MASHT-i synon që veprimtaria e të gjitha institucioneve arsimore të sigurojë një nivel të lartë të përvetësimit, zbatimit, avancimit, dhe promovimit për të drejtat e fëmijëve.

"MASHT-i politikën e saj në promovimin dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me theks të veçantë fëmijëve, e ka përqendruar në disa drejtime; në sigurimin e infrastrukturës ligjore, integrimin e të drejtave të fëmijëve, që ka të bëjë më kurrikulat, tekstet shkollore, edukatën qytetare, por edhe të drejtave të fëmijëve, si lëndë zgjedhore, hartimin e strategjive arsimore, me të cilat synojmë cilësi dhe gjithëpërfshirje", tha ministri Buja duke numëruar disa nga projektet e realizuara së fundi, si: korniza e kurrikulumit, e bazuar në të drejtat e fëmijëve, ligjet e rishqyrtuara , baraspeshuara, në aspektin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, transporti dhe financimi i vazhdueshëm për fëmijët me nevoja të veçanta, etj. Tutje ai shtoi se MASHT-i çdo vit jep tekste falas për të gjithë nxënësit, gjë e cila sipas tij parandalon braktisjen e shkollave.

Po ashtu ministri Buja foli edhe për angazhimin e kësaj ministrie në procesin e riatdhesimit, duke e konsideruar si një veprim konkret të qeverisë edhe rritjen e pagave të mësimdhënësve.

Deputetët gjatë diskutimit të tyre duke uruar fëmijët për ditën ndërkombëtare të tyre, ngritën një varg shqetësimesh për pozitën e fëmijëve sot. Duke përmendur raste konkrete të problemeve me të cilat ballafaqohen fëmijët, u tha se e ardhmja e fëmijëve në Kosovë është e pasigurt, ndërkaq përmendën edhe braktisjen e shkollave për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

U tha se situatë shqetësuese ekziston tek familjet me gjendje të rëndë ekonomike, meqë prindërit detyrojnë fëmijët që të kërkojnë lëmoshë. Disa nga deputetët theksuan se shqetësuese mbetet edhe analfabetizmi, si pasojë e sistemit të dobët arsimor. Tutje u tha se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin masa të nevojshme, që të drejtat e fëmijëve të mbrohen me ligj.

Pas diskutimit të deputetëve, kryetari i Kuvendit tha se rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut... do të harmonizohen me tri rekomandimet e paraqitura nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe votimi i këtyre rekomandimeve do të bëhet në seancën e radhës.

 

Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit