Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Enjte, 22.09.2016
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Faton Topalli, u diskutua dhe aprovua sistemi i raportueseve, me ç‘rast janë ndarë raportet e ministrive të linjës të cilat do të analizohen nga secili anëtar i komisionit dhe më vonë të shqyrtohen nga Komisioni. E gjithë kjo është bërë me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës së komisionit.
Në mungesë të Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, komisioni vendosi që shqyrtimi i raportit të Ministrisë së Drejtësisë të bëhet në një mbledhje tjetër.
Tutje komisioni ka shqyrtuar edhe raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015, ku të ftuar ishin z. Kujtim Shala, ministër i MKRS-së dhe z. Ljubomir Maric, ministër i MAPL-së. Gjatë shqyrtimit të këtyre raporteve komisioni ka diskutuar thellësisht dhe në mënyrë profesionale të gjitha të gjeturat e Auditorit dhe ka kërkuar nga ministrat përkatës që t'i kushtojnë një kujdes të veçantë implementimit të rekomandimeve të auditorit, me të cilat kërkesa u pajtuan edhe ministrat.
Gjithashtu komisioni shqyrtoi edhe raportin e Përformancës së Auditorit të Përgjithshëm dhe pasqyrave financiare të audituara, të cilin pas një diskutimi thelbësor e aprovuan si të tillë duke garantuar një mbështetje të vazhdueshme për Zyrën Kombëtare të Auditimit.
Në çështje të ndryshme Komisioni diskutoi për modalitetin e takimeve të ardhshme në të cilat do të diskutohen raportet tjera të ministrive.