Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri

E Marte, 13.09.2016




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, mbajti sot mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor.


Me këtë rast, Komisioni shqyrtoi dy vendime të Qeverisë, përkatësisht vendimin e saj të datës 25.8.2016, me të cilin konstatohet interesi publik nga lëshimi i licencës për Projektin e kompanisë "Envidity Energy Kosova LLC", si dhe vendimin lidhur me kompaninë "Sharr Cem dhe Titan America", me të cilin konstatohet interesi publik nga lëshimi i licencës për Projektin e kësaj kompanie.


Vendimin e Qeverisë, para anëtarëve të Komisionit e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Financave, Avdulla Hoti, i cili vuri në spikamë dobitë që sjellin projektet e këtyre kompanive.


Ministri Hoti, fillimisht foli për procedurat ligjore të cilat Qeveria ka ndjekur për miratimin e këtyre projekteve, ndërkaq, në vijim vuri në dukje interesin ekonomik si dhe vendet e reja të punës që do të krijohen me implementimin e projekteve të këtyre kompanive, e që përkrahen nga Qeveria.


Ai nënvizoi se, sipas vlerësimeve të Qeverisë, projektet e propozuara nga këto dy kompani paraqesin interes publiko-privat, ndërkaq, sqaroi se Komisioni parlamentar me vendimin e tij në favor të këtyre projekteve, do t'i hapte rrugë procedurave të një studimi më të thellë për këto projekte.


Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, ndonëse u shprehën në favor të investimeve të jashtme, ata po ashtu kërkuan që në projektet e propozuara të jenë të definuara më saktësisht çështjet siç janë: Plani i zhvillimit urban, shpronësimet gjatë hulumtimeve, saktësimi i sipërfaqes në të cilën kompanitë do të shfrytëzojnë gjatë hulumtimit, si dhe një varg çështjesh të tjera që ndërlidhen me shfrytëzimin e pasurive nëntokësore energjetike, me theks të veçantë linjitit.


Në fund të debatit, anëtarët e komisionit vendosën që të harmonizojnë qëndrimet lidhur me dilemat e paraqitura lidhur me këto projekte, ndërkaq, ato në formë rekomandimesh do t'i paraqiten Kuvendit.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri