Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Premte, 01.07.2016




U shqyrtua Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Zyrës së Rregullatorit për Ujë dhe Kanalizim për vitin 2015, si dhe Raporti i Auditimit të performancës: Menaxhimi i procesit të pajisjes së nxënësve me tekste shkollore.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e sotme të cilën e kryesoi Faton Topalli, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Zyrës së Rregullatorit për Ujë dhe Kanalizim, për vitin 2015.
Këtë raport para Komisionit e paraqiti, Raif Preteni, drejtor menaxhues, i këtij institucioni.
Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe Raportin e Auditimit të performancës: Menaxhimi i procesit të pajisjes së nxënësve me tekste shkollore, i cili u prezantua nga Arsim Bajrami, ministër i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Këto raporte , Komisioni i shqyrtoi me një qasje konstruktive, por , duke i shikuar ato me një sy kritik, që kishte për qëllim përmirësimin e performancës së këtyre institucioneve.
Gjatë shqyrtimit të këtyre raporteve, Komisioni u përqendrua në atë të Ministrisë së Arsimit, lidhur me të cilin, nga ministri Bajrami, u kërkua që të merren masa të nevojshme për adresimin e rekomandimeve të auditorit dhe sigurimin e cilësisë për tekstet shkollore, në mënyrë që Buxheti i Konsoliduar i Kosovës të përdoret më me efikasitet.
Në fund, KMFP nxori rekomandime profesionale të bazuara në raportet e auditorit, si dhe në deklarimet e menaxhmentit të institucioneve raportuese.
Komisioni, po ashtu mori vendim që mbikëqyrja e financave publike e agjencioneve të pavarura dhe ndërmarrjeve publike, të mbështetet nga ekspertët: Mustaf Hasani dhe Safet Merovci.