Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 11.05.2016




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka mbajtur sot takimin e radhës, të udhëhequr nga nënkryetari i parë , z. Ali Sadriu, në të cilin ka shqyrtuar raportet kthyese të organizatave buxhetore për zbatimin e rekomandimeve të KMFP-së.

Në takim është konstatuar se një pjesë e madhe e organizatave buxhetore (ministritë) nuk kanë kthyer raport lidhur me implementimin e rekomandimeve të auditorit dhe të komisionit, kurse dhe disa nga ato, të cilat kanë kthyer raporte, nuk i plotësojnë kërkesat e komisionit. Andaj, KMFP vendosi që ato institucione, të cilat kanë kthyer raport, të thirren në një takim të përbashkët, në të cilin do të diskutohej për to, në mënyrë më të detajuar.


Ndërsa me qëllim të rritjes së efektivitetit të punës z. Sadriu propozoi që për ato institucione, të cilat ende nuk kanë kthyer raporte, do të ndahen tek secili anëtar i komisionit, i cili do të jetë përgjegjës për shqyrtimin e raporteve kthyese dhe do të informojë komisionin lidhur me nivelin e implementimit të rekomandimeve të dhëna nga komisioni.


Lidhur me implementimin e rekomandimeve të auditorit folën edhe përfaqësuesit e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, të cilët theksuan se niveli i implementimit të rekomandimeve në këtë vit ka shënuar një progres, por që gjendja ende nuk është e kënaqshme, në krahasim me pritjet tona, në mënyrë që të kemi një shpenzim më efektive të parasë publike dhe në përputhje me rregullativën ligjore.

 

 Nga mbledhja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike