Lajmet e fundit
Deputetet Kodra dhe Kajtazi në Konferencën Regjionale të Grave Parlamentare
E Mërkure, 27.04.2016
Sot në Tiranë u mbajt Konferenca Regjionale e Grave Parlamentare
Në këtë Konferencë në të cilën po marrin pjesë gratë nga parlamentet e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Kroacisë, Malit të Zi, Turqisë dhe Bosnjës u diskutua për rolin e grave në pushtetin qendror dhe lokal. Konferenca nën udhëheqjen e kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme znj. Arta Dade, dhe kryetares së Aleancës së Grave Deputete, znj. Mesila Doda .
Në këtë konferencë nga Kuvendi i Kosovës po marrin pjesë kryetarja e Grupit të Grave Deputete znj. Blerta Deliu- Kodra dhe znj.Lirije Kajtazi.
Në fjalën e saj, kryetarja e GGD-së, znj. Blerta Deliu- Kodra tha : "Ne po vazhdojmë të punojmë në fuqizimin e gruas me anë të legjislacionit, si dhe me angazhime për sektorët si: mirëqenia e gruas, shëndetësia, fuqizimi i saj politik, me theks në nivel qendror dhe lokal etj, por fokusi ynë është në çështjen e grave që janë viktima të dhunës. Veçanërisht jemi të brengosura për më se 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, e për to ende drejtësia nuk e ka bërë punën e vetë",ka theksuar deputetja kosovare duke bërë thirrje për drejtësi për 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës, të cilat tash e 17 vite po bartin mbi supe barrën e rëndë të torturës fizike dhe psikike që i kanë përjetuar.
"Në këtë konferencë të përbashkët të grave parlamentare të rajonit kërkoj që të angazhohemi bashkërisht që kryesit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë", ka spikatur Deliu Kodra, duke pohuar se vetëm në këtë mënyrë ,ne si shoqëri, do të arrijmë që të trasojmë një të ardhme më të qetë për to.
Kurse deputetja Lirie Kajtazi tha: "Të gjitha kushtetutat e vendeve tona kanë të përfshira konventat për të drejtat e njeriut, prandaj konsideroj që ne duhet të angazhohemi që këto konventa të respektohen dhe sigurisht që gjendja e të drejtave të njeriut do të ishte më e mirë ". Ajo posaçërisht e ka parë të nevojshme bashkëpunimin sa më të mirë të avokatëve të popullit të vendeve tona , përfshirë edhe lidhjen e marrëveshje të bashkëpunimit.
Konferenca po i vazhdon punimet me diskutimet e deputeteve të pranishme nga parlamente të vendetave të rajonit.