Lajmet e fundit

U mbajt mbledhja konstituive e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim

E Marte, 12.04.2016




Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim, i krijuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, mbajti sot mbledhjen e tij konstituive.


Mbledhja u mbajt nën kryesimin e Xhavit Halitit, nënkryetar i Kuvendit, njëherësh edhe kryetar i këtij Komisioni, i cili në fillim të takimit vuri në pah rëndësinë e komisionit, ndërkaq, u shpreh i bindur se anëtarët e tij do të përmbushin detyrimet dhe agjendën e përcaktuar.


Në këtë takim, në të cilin morën pjesë anëtarët e të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, u nënvizua se për çështje me interes madhor duhet tejkaluar përkatësitë partiake, në mënyrë që të arrihen suksese më të mëdha në interes të vendit.


Pas kësaj, komisioni miratoi Rregulloren e Punës, si dhe Draft Agjendën e takimit të parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE, i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2016, në Prishtinë.


Komisioni po ashtu miratoi edhe Draft Programin për këtë takim, ndërkaq, vendosi që paraprakisht të bisedohet lidhur me çështjet që do të ngriten.


Në takimit e parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE, pritet të jetë edhe Federica Mogerini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, si dhe Johanes Han, anëtar i Komisionit Evropian, të cilëve komisioni vendosi t'iu dërgojë ftesë për të qenë pjesë e agjendës së këtij takimi.

 U mbajt mbledhja konstituive e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim