Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 24.03.2016
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, filloi punimet me një deklarim të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili, në përvjetorin e 17-të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave ushtarake e policore serbe, të cilat po kryenin masakra kundër popullatës së pafajshme shqiptare, në emër të Kuvendit të Kosovës i shprehu falënderime të sinqerta Aleancës Veriatlantike.
Po ashtu, me kërkesë të kryetarit Veseli, Kuvendi nderoi me një minutë heshtje viktimat e sulmeve terroriste në Bruksel. Veseli tha se Kosova solidarizohet me vendet që po goditen nga sulmet terroriste dhe njëkohësisht, shpreh ngushëllimet për familjet e atyre që humbën jetën. Ai tha se Kosova është e vendosur në përkrahje të çdo veprimi i cili është kundër fenomeneve që cenojnë jetën e qytetarëve të lirë.
Duke u ndërlidhur me këtë temë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në emër të qeverisë shprehu dhimbjen dhe keqardhjen për të gjitha viktimat e sulmeve në Bruksel.
"Shpreh gjithashtu interesimin dhe angazhimin tonë, që të jemi pjesë e aleancës globale kundër terrorizmit, radikalizmit dhe kundër të gjitha akteve vandaliste, si pasojë të të cilave kemi humbje të jetëve të njerëzve", theksoi
kryeministri Mustafa.
Më pas mbledhja e Kuvendit vijoi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.
Deputetët ngritën një varg çështjesh dhe shqetësime të qytetarëve, ndërsa pyetjeve parlamentare iu përgjigj kryeministri Isa Mustafa, si dhe ministrat e kabinetit qeveritar: Lutfi Zharku, Arsim Bajrami, Arban Abrashi dhe Avdulla Hoti.
Para vijimit të rendit të ditës, kryesuesi i seancës, Hamiti, theksoi se ka kërkesa për ndryshim të rendit të ditës. Ai ia dha fjalën deputetes Selvie Halimi, nënkryetare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, e cila kërkoi futjen në rendin e ditës për shqyrtim të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Po kështu, deputeti Armend Zemaj, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, kërkoi ndryshim në rendin e ditës, lidhur me kalimin e pikës 10 që të kalojë në pikën 6 të rendit të ditës.
Kryetarët e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, Listës Serbe dhe 6 +, mbështetën miratimin e kërkesave për ndryshimin e rendit të ditës, të cilat me shumicë votash u miratuan.
Pas kësaj ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, arsyetoi nevojën për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Pas hedhjes në votim, Kuvendi miratoi në parim këtë projektligj.
Gjithashtu Kuvendi miratoi me shumicë votash edhe kërkesën për caktimin e një seance të re, po sot, për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Në vazhdim, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tre gjykatës: Gultene Sylejmani nga Gjykata Supreme e Kosovës, Nenad Llaziç nga Gjykata e Apelit të Kosovës dhe Afërdita Bytyçi nga Gjykata Themelore e Kosovës, u zgjodhën anëtarë të Organit Përzgjedhës të Pavarur, për përzgjedhjen e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, të cilët do të votohen në seancën e radhës.
Po kështu, lidhur me plotësimin e stafit të Bordit për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale edhe me një anëtar, sipas Rregullores së Kuvendit, u propozuan dy kandidatë: Ismet Hashani dhe Avdi Kunjuhi. Pas votimit të fshehtë, deputetë votuan me 49 vota pro, kandidatin Avdi Kunjui, që të jetë anëtar i Bordit për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, me mandat 5 vjeçar.
Më tej Kuvendi vijoi punën me shqyrtimin e parë të Projektligjit për mbrojtjen ambientit nga zhurma. Arsyetimin e këtij projektligji e bëri Ministri i Ambientit, Ferid Agani, i cili theksoi se ky projektligj është hartuar në përputhje me konventat ndërkombëtare. Pas elaborimit të vlerave të këtij projektligji, ministri kërkoi mbështetjen e deputetëve për miratimin në parim.
Deputetja Emilia Rexhepi, në emër të Komisionit për Bujqësi Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, kërkoi mbështetjen nga deputetët për përkrahje. Edhe grupet parlamentare u shprehën në mbështetje të këtij projektligji. Pas diskutimeve të shumta të deputetëve për mjaft nga problematikat e këtij projektligji, u hodh në votim. Projektligji mori 51vota për, 1 kundër dhe 7 abstenime.
Në vijim të mbledhjes, Kuvendi mori në shqyrtim të dytë dhe miratoi Projektligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, me amendamente të komisionit funksional.
Lidhur me shqyrtimin e raportit të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mbikëqyrjen buxhetore të Skemës së Ndihmës Sociale për periudhën 2013-2015, në emër të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, fjalën e mori deputeti Fikrim Damka, anëtar i këtij Komisioni, i cili u ndal në paraqitjen 15 rekomandime të paraqitura në këtë raport . Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi raportin e paraqitur.
Më pas, deputetët shqyrtuan dhe miratuan edhe raportin vjetor të punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2014, të cilin e paraqiti kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik..., Muhamet Mustafa.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e raportit të Komisionit për të Drejta dhe Interesa të Komuniteteve dhe Kthim lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.
Raportin me rekomandime në emër të komisionit e paraqiti deputetja Jasmina Zhivkoviç, e cila kërkoi miratimin e tij. Nga 57 deputetë sa votuan gjithsej, 40 ishin për, 3 kundër dhe 14 abstenime.
Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, Kuvendi në bazë të vendimit paraprak për t'iu shmangur Rregullores së Punës, vijoi me një mbledhje të veçantë.
Në këtë mbledhje, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.