Lajmet e fundit

Kryetari Veseli u takua me drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së

E Mërkure, 24.06.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një vizitë në selinë e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë të cilës është pritur në një takim të veçantë të drejtuesit e tyre.

Në takim i bisedua për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë, lidhur me procesin e themelimit të Gjykatës Speciale. Kryetari Veseli i njoftoi ish-luftëtarët me ecurinë e zhvillimeve përkitazi me këtë proces, ndërsa votimin e amendamenteve kushtetuese nga Kuvendi që i hapin rrugë krijimit të kësaj Gjykate, e konsideroi si një mundësi për të dëshmuar se nuk ka pasur krime ndaj njerëzimit në luftën e UÇK-së.

"Ne kemi qenë bashkë çdo herë. Do ta votojmë Gjykatën Speciale për t'i thënë jo mjegullave ndaj shtetësisë së Republikës së Kosovës, për ta dëshmuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit në luftën e UÇK-së, se nuk ka pasur trafikim të organeve, se nuk ka pasur keqtrajtim dhe vrasje të civilëve, por për të thënë se luftën dhe krimet i ka shkaktuar vetëm një faktor dhe ai ka qenë Serbia e Millosheviqit", theksoi kryetari Veseli, duke vlerësuar se Kosova duhet të shikojë kah e ardhmja, paqja dhe zhvillimi ekonomik.

Kreu i Kuvendit theksoi nevojën e domosdoshme që të ruhet partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian, që në vazhdimësi kanë mbështetur Kosovën në të gjitha proceset e saj të vështira të çlirimit, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit, si rrugë e vetme që ka Kosova për të ecur përpara.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për vizitën dhe përsëriti qëndrimin e shoqatave të dala nga lufta kundër themelimit të kësaj gjykate.

 

 

Kryetari Veseli u takua me drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-sëKryetari Veseli u takua me drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-sëKryetari Veseli u takua me drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-sëKryetari Veseli u takua me drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së