Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën gjithëpërfshirëse mbi rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian
E Marte, 16.06.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në Konferencën Gjithëpërfshirëse "Roli i Kuvendit në Procesin e Integrimit Evropian", të organizuar sot nga Komisioni për Integrime Evropiane, me mbështetjen e Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se vizioni për integrimin evropian është vizion konsensual i shoqërisë së Kosovës dhe se kjo është një pikënisje tejet e rëndësishme. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë i shtetit, shtoi kryetari Veseli, është i përkushtuar tërësisht që të ndihmojë të gjitha proceset që lidhen me integrimin evropian të vendit tonë.
"Vetëm pak javë më parë, Kuvendi i Kosovës me procedurë të përshpejtuar, ka miratuar ligje që dalin nga pakoja e procesit të liberalizimit të vizave, duke i dhënë mbështetje plotësimit të kritereve që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ne do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë proces me prioritet të lartë, duke ushtruar edhe presion mbi institucionet përgjegjëse për zbatim sa më të shpejtë të obligimeve të tyre, me qëllim të avancimit të agjendës evropiane", theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.
Miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga ana e Komisionit Evropian, kryetari Veseli e konsideroi një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, e cila, sipas tij, do të hap një kapitull të ri të këtyre marrëdhënieve. Z. Veseli shfaqi shpresën se kjo marrëveshje do të nënshkruhet shumë shpejt.
Kryeparlamentari Veseli vlerësoi se roli i Kuvendit në përshpejtimin e proceseve integruese është i shumëfishtë dhe shtrihet në disa fusha, duke filluar nga hartimi i një legjislacioni i cili është në përputhje me kriteret dhe standardet e Bashkimit Evropian, avancimi i transparencës parlamentare dhe përfshirjes qytetare në proceset legjislative, por edhe fuqizimi i Kuvendit, e rrjedhimisht fuqizimi i demokracisë, me çka arrihet një nga standardet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian: qeverisja funksionale demokratike.
Roli i Kuvendit në proceset integruese të Kuvendit, shtoi kryetari Veseli, shtrihet edhe nëpërmjet zhvillimit të diplomacisë parlamentare, sidomos me vendet fqinje, nëpërmjet fqinjësisë së mirë dhe pa konflikte, si standard dhe vlerë euro-atlantike, parlamentarizmit ekonomik dhe fuqizimit të mbikëqyrjes parlamentare, sidomos të mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
"Unë jam i bindur se Kuvendi i Kosovës ka të gjithë vullnetin dhe mundësitë që në kohën e duhur të përmbushë këtë rol të shumëfishtë në të mirë të vendit dhe qytetarëve", tha në fjalën e tij kryetari Veseli.