Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 27.05.2015
Puna vjetore e Agjensionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale ishte tema kryesore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, kryesuar nga Flora Brovina.
Para anëtarëve të komisionit për këtë çështje foli Arianit Jakupi, U.D. i kryeshefit të Agjensionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Arianit Jakupi pasi vlerësoi kontributin e Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe të Ministrisë për Shëndetësi, që po u jep mundësinë për ristrukturimin dhe përsosjen e këtij agjensioni duke shtuar dy departamente: Departamenti për pajisje Medicinale dhe Departamenti i Narkotikëve, duke hapur kështu edhe 23 vende të reja pune në këtë agjension. Më pas ai i bëri një rezyme punës dhe aktivitetit të këtij agjensioni gjatë vitit 2013 dhe 2014.
Deputetë bënë pyetje të shumta lidhur me funksionimin dhe korrektësinë e punës së MAPPM -së, që duhet ta prijë këtë sektor të vështirë dhe mjaft të përfolur. Lidhur me rritjen e besimit të qytetarëve për produktet në treg, Arianit Jakupi theksoi se 72% e produkteve farmaceutike të tregut kosovar vijnë nga vendet e BE-së.
Në vijim të mbledhjes, Flora Brovina, kryetare e Komisionit, ftoi kryetarin e Sindikatës të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rahman Jashari, të angazhohet që në projektligjin për Këshillin Ekonomik dhe Social, SBASHK-u si punëmarrës të përfaqësohet me më shumë anëtarë.