Lajmet e fundit

U mbajt seminari i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor

E Hënë, 17.11.2014




Mbikëqyrja parlamentare e qeverisë, përgjegjësitë dhe praktikat e stafit parlamentar gjatë kryerjes së aktiviteteve mbikëqyrëse, ishte tema e seminarit të sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt sot në Prishtinë, me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe GIZ (Deutsche Gesellschaft fùr Internationale Zusammenarbeit).

Sekretarë dhe zyrtarë të administratës së Kuvendit të Shqipërisë, atij të Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe të Kroacisë, Sllovenisë e Hungarisë, prezantuan praktikat dhe përvojat e tyre të mbikëqyrjes parlamentare të qeverisë dhe institucioneve të tjera, në funksion të përmbushjes së rolit kushtetues mbikëqyrës dhe kontrollues të parlamenteve kundruall pushtetit ekzekutiv.

Në hapje të këtij seminari, ambasadori i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger tha se ky takim është një mundësi e mirë për rritje të bashkëpunimit rajonal ndërparlamentar dhe për vendosjen e standardeve në këtë bashkëpunim.

Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe drejtori i Zyrës së GIZ-it në Shkup dhe Prishtinë, James Macbeth Forbes, duke e konsideruar takimin e sotëm të një rëndësie të veçantë. Ai u ndal në rëndësinë e llogaridhënies së qeverive në parlamentet respektive, të cilën e cilësoi si përbërësin kryesor të demokracisë.

Duke u uruar të pranishmëve mirëseardhje në Kosovë dhe duke i falënderuar për prezencën e tyre, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se ky seminar jep mundësinë e shkëmbimit të informatave dhe të arriturave të parlamenteve në rrugën e përbashkët drejt integrimeve evropiane.

Në fjalën e tij, sekretari Krasniqi vlerësoi se shtetet e Ballkanit Perëndimor, synim të përbashkët kanë integrimin në familjen e madhe evropiane, përderisa kontribut i madh në këtë drejtim pritet edhe nga administratat e parlamenteve përkatëse.

Duke falënderuar organizatat mbështetëse ndërkombëtare të Kuvendit të Kosovës, si dhe parlamentet e shteteve të rajonit për mbështetjen e tyre, sekretari Krasniqi tha se agjenda evropiane kërkon punë intensive me qëllim që proceset integruese të jenë pjesë e punës dhe e aktiviteteve ditore.

Mbështetja e BE-së përmes instrumentit para-anëtarësim dhe Raporti i Progresit, tha në vazhdim sekretari Krasniqi, mbesin pikat referuese dhe krahasuese që adresojnë nevojat dhe sfidat me të cilën përballet parlamenti, veçanërisht administrata.

"Përmes kësaj kornize, nga të gjeturat e raportit dhe përkrahja e ofruar nga Bashkimi Evropian, përmes instrumentit të para-anëtarësimit IPA, Kuvendi i Kosovës aplikon për këto projekte me qëllim të forcimit të kapaciteteve legjislative dhe administrative, marrjes së ekspertizës së mjaftueshme për përafrim dhe harmonizim të legjislacionit me atë të Acquie", u shpreh sekretari i Kuvendit, ndërsa foli edhe për mbështetjen që administrata ofron bazuar në strukturën organizative të Kuvendit.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës foli edhe për aspekte tjera të punës së Kuvendit, administratës së tij, ngritjes së vazhdueshme të kapaciteteve, por edhe të nevojave që dalin para saj në proceset pasuese.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura, Miklovan Kopani, tha se gjatë viteve të fundit, funksionimi i Kuvendit të Shqipërisë është përmirësuar në të gjithë treguesit e performancës së tij, duke ndërmarrë masat e nevojshme për adresimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit.

"Është rritur efikasiteti i kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, si dhe kontrolli e ndërveprimi me institucionet kushtetuese apo ato të krijuara me ligj, si dhe është përmirësuar transparenca në procesin legjislativ, aksesi e informimi i publikut lidhur me këtë proces dhe me veprimtari të tjera parlamentare", theksoi Kopani.

Sekretari i Parlamentit të Bosnjë-Hercegonivës, Ferid Buljabashiq, dha një pasqyrë të skemës organizative dhe mënyrës së funksionimit të Parlamentit të Bosnjë-Hercegonivës. Buljabashiq tha se parlamenti i Bosnjë-Hercegovinës i ka dy dhoma, të cilat kanë komisione të veçanta por edhe të përbashkëta, të cilat e luajnë rolin e tyre mbikëqyrës mbi qeverinë dhe institucioneve të tjera përkatëse.

Në vazhdim, përfaqësuesi i Parlamentit të Hungarisë, Gyorgy Such, ai i Kroacisë, Sllaven Hojski dhe përfaqësuesja e parlamentit slloven, Ursula Zore Tavcar, vende këto anëtare të Bashkimit Evropian, prezantuan praktikat e tyre të mbikëqyrjes parlamentare, transformimin e administratave të parlamenteve në fazën e integrimit në BE, si dhe rolit që kanë ato sot në kushtet e të qenit anëtarë të kësaj organizate.

Seminari vazhdoi me diskutime të pjesëmarrësve të tjerë, kryesisht zyrtarë të komisioneve parlamentare, të cilat shpalosën përvojat e tyre, por edhe fushat në të cilat ka nevojë për përmirësim, me fokus në instrumentet e mbikëqyrjes. U diskutua për metodologjitë e përdorura nga stafet e komisioneve gjatë mbikëqyrjes së tyre në fushën e zbatimit të legjislacionit, buxhetit, nivelit të përfshirjes së shoqërisë civile dhe ekspertëve të jashtëm gjatë procesit të mbikëqyrjes etj.

Temë e veçantë e diskutimit ishte edhe aktiviteti parlamentar për të kontrolluar dhe shqyrtuar shpenzimet e fondit të Instrumentit të Bashkimit Evropian të Paraanëtarësimit, për të cilën gjerësisht foli koordinatorja e programit në Institutin për Politika Evropian në Maqedoni, Ardita Abazi.

Duke i konsideruar shumë të suksesshme punimet e këtij seminari, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, tha se praktikat e shpalosura mund të komponohen dhe t'u shërbejnë administratave të parlamenteve pjesëmarrëse gjatë punës së tyre në të ardhmen.

Në kuadër të këtij seminari, u zhvillua edhe një takim i veçantë i sekretarëve të përgjithshëm dhe përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Sllovenisë, Hungarisë dhe Kosovës, në të cilin u diskutua hollësisht për mundësinë e vendosjes së kornizave të një bashkëpunimi më të përafërt ndërmjet administratave të tyre në të ardhmen.

 

U mbajt seminari i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit PerëndimorU mbajt seminari i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit PerëndimorU mbajt seminari i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit PerëndimorU mbajt seminari i sekretarëve të përgjithshëm të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor