Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 30.04.2014




Shqyrtimi i Raportit vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2013, ishte temë qendrore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Ramë Vataj, kryetar i Komisionit. Në fillim të mbledhjes, para anëtarëve të Komisionit folën kryetari i Bordit të RTK-ës, Rrahman Paçarizi dhe drejtori i përgjithshëm i këtij mediumi publik, Mentor Shala. Ata theksuan se megjithëse në kuadër të RTK-ës tani veprojnë 4 kanale, ndërsa në vitin 2012 ka vepruar vetëm një , RTK-ja me të njëjtin buxhet përmbushi planet e tij. Megjithëse, viti 2013 vlerësohej si vit sfidues, ai u përmbyll me shumë sukses, si në aspektin zhvillimor, ashtu edhe në atë programor. U tha se Kanali 2, që emetohet në gjuhën serbe, është funksionalizuar dhe po kontribuon në integrimin e komunitetit serb në institucione dhe në proceset shoqërore , theksuan Paçarizi dhe Shala.

Në vijim të mbledhjes, si në fjalën hyrëse të z.Ramë Vataj , ashtu edhe të anëtarëve të Komisionit, u vlerësua me tone mjaft inkurajuese puna e Bordit, udhëheqjes dhe punonjësve të RTK-ës gjatë vitit të kaluar. U tha se Raporti është mjaft përmbajtjesor, por u dhanë edhe disa sugjerime për begatimin e mëtejmë të programit të këtij transmetuesi publik, sidomos sa i përket sigurimit të një hapësire më të gjerë për sektorin e arsimit, punës së të rinjve,një përfshirje më e balancuar e të gjitha komunave, si dhe mbulimi i të gjitha rajoneve me sinjalin e RTK-ës, për të cilin, nga ana e Bordit, u premtua se do të zgjidhet brenda disa muajve me anë të digjitalizimit. Diskutuesit i kushtuan vëmendje edhe çështjes se si të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme financiare për veprimtarinë e RTK-ës.

 

 

 Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media