Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Mërkure, 30.04.2014




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Suzan Novobërdali, shqyrtoi Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit (AP) për vitin 2013. Në këtë Raport trajtohen çështje nga lëmi i të drejtave të njeriut dhe zbatimi i një sërë ligjesh të kësaj fushe.

Duke paraqitur këtë Raport, i pari i Institucionit të Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, sqaroi se në të janë paraqitur të gjitha rastet dhe ankesat e qytetarëve, të cilët përmes këtij institucioni janë përpjekur të zgjidhin problemet dhe të marrin përgjigje për shqetësimet e tyre. Rastet e trajtuara, tha në vijim ai, janë të paraqitura në mënyrë statistikore dhe numri i tyre ka arritur deri në 2000. Ankesat më të shpeshta kanë të bëjnë me gjyqësorin, përkatësisht, zvarritjen e lëndëve gjatë procedurës gjyqësore, ndërkaq, rekomandimet e nxjerra për të gjitha rastet, arrin në 100, tha Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Anëtarët e komisionit vlerësuan se Raporti i vitit 2013, është ndër më të mirët deri më tani, i cili në detaje dhe në mënyrë të faktuar ka paraqitur secilin rast të shqyrtuar nga ana e AP-së. Komisioni vlerësoi lart edhe bashkëpunimin në mes të AP-së dhe institucioneve relevante, ndërkaq, rekomandimet e paraqitura në Raport i vlerësoi përkatëse.

Pas shqyrtimit, komisioni unanimisht miratoi Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2013.

Në këtë mbledhje, komisioni miratoi edhe Raportin për monitorimin e Ligjit për persona të verbër. Këtë Raport e paraqiti kryesuesja e grupit punues për monitorimin e këtij ligji, deputetja, Kymete Bajraktari.

Në vijim, komisioni shqyrtoi edhe një ankesë drejtuar komisionit nga ana e disa qytetarëve të Komunës së Malishevës. Kjo ankesë kishte të bënte me aksidentin tragjik të vitit 2004, në të cilin kishin gjetur vdekjen 15 dhe ishin lënduar 34 maturant nga kjo komunë. Përfaqësuesit e familjarëve të të lënduarve në këtë aksident, treguan se Byroja Shqiptare e Sigurimeve, nuk ka përmbushur obligimet ndaj të lënduarve, ndërkaq, kërkuan ndihmën e komisionit.

Lidhur me këtë, komisioni vendosi që të njoftohet edhe kreu i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...