Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 30.04.2014




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi tri raporte vjetore financiare, një projektligj dhe një propozim.

Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2013, të cilin e prezantoi zëvendëskryesuesi i Bordit të AKP-së, Skënder Komoni.

Në vazhdim, komisioni përkrahu edhe dy raporte vjetore financiare për vitin e kaluar: raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe atë të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Komisioni vijoi punën me shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, me amendamentet e komisionit funksional. Komisioni vlerësoi se projektligji dhe amendamentet nuk kanë kosto shtesë buxhetore, me përjashtim të paragrafit 11.5 të amendamentit 1, për të cilin rekomandoi që të fshihet.

Në këtë mbledhje u përkrah edhe propozimi i Panelit Seleksionues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së. Iu rekomandua Kuvendit që të emërojë njërin nga katër të propozuarit, të cilët, sipas komisionit, i plotësojnë kushtet ligjore për këtë pozitë.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa