Lajmet e fundit

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë

E Marte, 29.04.2014




Zhvillimet e fundit në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ishin temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë.

Në këtë takim të kryesuar nga zëvendëskryetari i komisionit, Fadil Demaku, u vunë në pah shumë parregullsi që e kanë përcjellë këtë institucion, veçanërisht në dy vitet e fundit. Dorëheqja e zv. drejtorit të AKI-së dhe problemet e vazhdueshme lidhur me procesin e verifikimit, ishin vetëm disa nga shqetësimet e ngritura në këtë mbledhje.

Duke pasur parasysh rëndësinë dhe rolin që ka AKI-ja në sigurinë nacionale, u shprehën anëtarët e komisionit, është e nevojshme që në mbledhjen e ardhshme të raportojë drejtori i AKI-së, si dhe inspektori i përgjithshëm i këtij institucioni.

Po ashtu, anëtarët e komisionit vlerësuan se për t'u njohur më mirë me gjendjen në AKI, përkatësisht hapat e marrë nga Qeveria lidhur me parregullsitë e shumta që e kanë përcjellë atë, në mbledhje të komisionit, të ftohet edhe kryeministri i Qeverisë, Hashim Thaçi.

 

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencionit Kosovar për Inteligjencë