Lajmet e fundit
Nesër, mbahet tryeza e rrumbullakët për zbatimin e Deklaratës për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile
E Hënë, 28.04.2014
Organizuar nga Kuvendi i Kosovës dhe mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, nesër ( e martë më 29 prill 2014 ) në hotelin "Sirius" në Prishtinë do të mbahet tryeza e rrumbullakët për zbatimin e Deklaratës për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile.
Kuvendi i Kosovës më 3 prill 2014 ka miratuar Deklaratën për partneritet ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile (http://assembly-kosova.org/common/docs/Deklarata_Kuvendi_Civile.pdf). Kjo Deklaratë është përgatitur nga një grup i deputetëve të Kuvendit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile vitin e kaluar, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Më pas, kjo deklaratë është debatuar me më se 70 organizata të shoqërisë civile në një seri të tryezave të mbajtura në mbarë Kosovën. Qëllimi i Deklaratës është të definojë parimet e përparimit të bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, të lehtësojë pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në bërjen e ligjeve nga Kuvendi dhe pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile në aktivitetet e mbikëqyrjes së ligjeve, si dhe të sigurojë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës në zhvillimin e sektorit të shoqërisë civile në Kosovë.
Për mënyrën se si të ecet përpara në zbatimin e kësaj deklarate, në tryezë do të debatojnë deputetë Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile , si dhe të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Vendi: Hoteli "Sirius" në Prishtinë.
Koha: nga 10:00 deri në ora 12:30
Tryeza do të jetë e hapur për media.