Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 28.04.2014
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që Kuvendi të mblidhet më 5 maj, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.
N ë takimin e sotëm është arritur pajtimi që në këtë seancë të nxirren për miratim amendamentet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës (me procedurë të shmangies nga Rregullorja e Kuvendit).
Në të njëjtën seancë, ndërkaq, do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit,kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, si dhe Projektligji për Skemat pensionale të financuara nga shteti.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen katër raporte të komisioneve dhe të agjencive të pavarura: Raporti i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Aviacionin Civil; Raporti vjetor për vitin 2013 i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Raporti i Zyrës Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina, për vitin 2013, si dhe Raporti i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për vitin 2013.
Si pikë e fundit e seancës është paraparë emërimi i një anëtari në Bordin Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Kryesia ka shqyrtuar edhe kërkesa dhe propozime të ndryshme. Pasie ka shqyrtuar kërkesën e Nismës qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, Kryesia, konform ligjit, ka vendosur t'ia dërgojë Qeverisë, për mendim.
Në takimin e sotëm është pohuar se Qeveria e Kosovës, në afatin e paraparë me Rregullore të Kuvendit, nuk e ka dërguar në Kuvend mendimin dhe Deklaratën për verifikimin e ndikimit buxhetor në Projektligjin për Lojërat e Fatit, ndaj Kryesia ka kërkuar që projektligji në fjalë t'u shpërndahet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke e ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa, si komision funksional, që ta shqyrtojë Projektligjin, në parim, dhe Kuvendit t'ia paraqesë raportin me rekomandime, para shqyrtimit të parë në seancë plenare.
Kryesia ka mbetur që edhe një herë në mbledhjen e ardhshme të saj ta shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Komunës së Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, para se ta radhisë për seancë plenare.
Lidhur me Propozimin për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Mediave,në përbërje prej 9 anëtarëve ( PDK -2, LDK-2 , VV- 1, AAK -1, KKR-1, SLS-1 dhe 6+1), Kryesia ka kërkuar nga grupet parlamentare që deri në seancën e radhës t'i propozojnë kandidatët e tyre.
Duke e shqyrtuar Informatën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me ekzekutimin e Vendimit të Kuvendit të Kosovës për pagat e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Kryesia ka konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 20 mars 2014, ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme për propozimin e kandidatit për anëtar të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga radha e ndërkombëtarëve. Qeveria deri më tani ende nuk e ka proceduar një propozim të tillë në Kuvend.
Si rëndom në seanca të rregullta të Kuvendit, deputetët do të kenë rastin të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës dhe të shtrojnë pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.