Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Mërkure, 23.04.2014
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e BE-së për sundimin e Ligjit në Kosovë, ishte temë qendrore e mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti. Kjo pikë u vu në rendin e ditës në bazë të kërkesës së proceduar nga Qeverisa e Kosovës dhe që u përkrah për shqyrtim nga ana e shumicës së deputetëve. Kërkesa u përkrah sipas procedurës së shmangies nga rendi i ditës së mbledhjes së sotme të Kuvendit, mbështetur në Rregulloren e Kuvendit.
Arsyetimin e këtij Projektligji para deputetëve e paraqiti kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në fillim theksoi se kërkesa për themelimin e Gjykatës Speciale, është padrejtësi dhe fyerja më e madhe që mund t' i bëhet Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se UÇK-ja ka zhvilluar luftë çlirimtare për çlirimin e Kosovës nga okupimi i Sllobodan Millosheviqit. "Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare ndaj edhe jemi ndihmuar nga miqtë ndërkombëtarë", theksoi z. Thaçi. Në vijim ai i bëri një vështrim Raportit të Dik Martit, për të cilin tha se dihet se si është bërë, por dihet edhe fakti se pretendimet e tij janë hedhur poshtë.
Kryeministri tha se tani institucionet e Kosovës janë të ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkohet nga Kosova të nxirren ligje, madje edhe të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, vetëm e vetëm që të formohet Gjykata Speciale, e cila do të gjykojë ndonjë rast të mundshëm që mund të rezultojë nga pretendimet e Raportit të Dik Martit.
"Vendimi për këtë Projektligj do të jetë i vështirë, i cili do të rëndojë derisa të jemi gjallë në ndërgjegjen tonë, por ndërgjegjja jonë do të mbetet e njollosur nëse nuk i japim përgjigje adekuate kërkesës së Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për themelimin e Gjykatës për të hetuar pretendimet e Raportit të Dik Martit, i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010", theksoi kryeministri Thaçi. Në vijim ai apeloi te deputetët që të marrin vendim të përbashkët për të ratifikuar këtë marrëveshje. Në këtë mënyrë do të ndihmohet Kosova, nuk do të lejohet të njolloset UÇK-ja dhe do të ruhet besimi me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.
Thaçi tha se është fjala për një opsion, pra ai i përkrahjes së themelimit të Gjykatës, e cila me një seli do të jetë në Kosovë e më një jashtë Kosovës, ndërsa Gjykata do të veprojë në harmoni me ligjet e Kosovës. Opsioni i dytë, shto kryeministri, është ai i refuzimit, që nuk duhet të merret parasysh, sepse nëse nuk krijohet kjo Gjykatë, atëherë kjo do të themelohet nga ana e KS të OKB-së. "Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale duhet të merret për të mirën e gjeneratave të ardhshme dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve me BE-në dhe Bashkimin Evropian", tha kryeministri Thaçi.
Në vijim, shefi i GP të PDK-ës, Adem Grabovci, i dha përkrahje themelimit të Gjykatës Speciale, duke shprehur besimin se lufta e UÇK-ës ishte e pastër, e drejtë dhe çlirimtare, madje për këtë ekziston argumentacion i fuqishëm. Themelimit të kësaj Gjykate i dha përkrahje edhe Ismet Beqiri, duke folur në emër të GP të LDK-ës, duke theksuar se opsioni për të vendosur për këtë OKB-ja do të ishte i dëmshëm për Kosovën. Glauk Konjufca nga GP i Vetëvendosjes, në diskutimin e tij i bëri një përshkrim krimeve serbe në Kosovë dhe më gjerë, duke theksuar se krimet e fundit në Kosovë nuk ishin ndonjë aksident, por mishërim i ideologjisë serbe nga ana e Millosheviqit. Për të gjitha krimet, Serbia nuk ka marrë dënimin merituar, ndërkaq UÇK-ja po gjykohet. UÇK-ja nuk njihet as me Kushtetutën e Kosovës dhe ky është turp i madh që i faturohet Qeverisë. Në përfundim të fjalës së tij Konjufca kërkoi që deputetët të mos votojnë themelimin e Gjykatës. Duke folur në emër të GP të AAK-ës, Ardian Gjini u shpreh, kundër opsionit për t' i thënë jo themelimit të Gjykatës, sepse kjo do të reflektohet dëmshëm kundruall Kosovës. Imazhi i Kosovës është shumë i rëndësishëm për jetën e qytetarëve të Kosovës, ndaj nuk duhet lejuar që të dëmtohet ai, theksoi Gjini. Fajin për kërkesën për themelimin e kësaj Gjykate ai e shikonte si pasojë edhe të moskonsekuencës së gjyqësisë së Kosovës, që, sipas tij, vjen nga korruptimi i saj. Edhe Myzejene Selmani, në emër të KKR-ës, përkrahu themelimin e kësaj Gjykate, duke theksuar se Kosova do të kalojë edhe këtë test.
Myfera Shinik në emër të Grupit 6+ tha se komuniteti turk, por edhe tërë grupi parlamentar përkrah çdo ligj që është në dobi të së tashmes dhe të së ardhmes së Kosovës. Në këtë frymë, ajo tha se përkrah miratimin e këtij Projektligji. Në diskutimin e tij Petar Miletiq, në emër të GP të SLS-ës, i dha përkrahje themelimit të UÇK-ës. Ai theksoi se Gjykata nuk është kundër UÇK-ës, ajo është kundër individëve. Krimet duhet të individualizohen, sepse sikurse ka emër viktima, ashtu ka emër edhe kryesi i veprës kriminale.
Pas përfundimit të debatit, Kuvendi miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Misionin e BE-për sundimin e Ligjit në Kosovë.
Në vijim, sipas procedurës së shmangies nga rendi i ditës, Kuvendi miratoi vënien në rendin e ditës së shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës. Arsyetimin për këtë Projektligj e dha zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Në debat morën pjesë: Glauk Konjufca, Hydajet Hyseni, Nijazi Idrizi, Albulena Haxhiu dhe Visar Ymeri. Në përfundim të debatit Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës.