Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë
E Marte, 22.04.2014
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë, i kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, ka mbajtur sot dëgjim publik, në të cilin është diskutuar për Raportin vjetor të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) si dhe për zbatimin e rekomandimeve të dala nga mbikëqyrja e Ligjit për IPK-në.
Për të diskutuar lidhur me këtë, në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeshefi i IPK-së, Fitim Shishani. Duke raportuar para komisionit, ai theksoi se në IPK janë shënuar arritje në realizimin e objektivave të parapara për vitin 2013. Sa i përket rekomandimeve të komisionit për IPK-në, Shishani tha se IPK ka zbatuar dhe vazhdon të zbatojë Ligjin në plotni, ndërkaq, rekomandimet e komisionit janë pranuar me vonesë nga ana e IPK-së. Në vijim, Shishani u është përgjigjur edhe pyetjeve që shtruan anëtarët e komisionit, e që kishin të bënin me verifikimin nga ana e AKI-së për zyrtarët policorë, zbatimi i Ligjit për IPK-në, si dhe zbatimi i rekomandimeve të komisionit.
Në mbyllje të këtij dëgjimi publik, Isufi, falënderoi diskutuesit për angazhimin e tyre duke theksuar se qëllimi i mbikëqyrjes parlamentare është ngritja e performancës së këtij institucioni, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia parlamentare, në mënyrë që të ruajmë imazhin e institucionit.