Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 22.04.2014
Projektligji për ndërmarrjet publike, më së shumti i referohet ndërmarrjes "Trepça", ndonëse nuk është specifikuar. Kështu tha sot në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Fadil Ismajli. Në këtë mbledhje të cilën e kryesoi Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit, ministri Ismajli ka vënë në pah përparësitë që sjell projektligji në zhvillimin e ndërmarrjeve publike.
Ministri i MZHE-sw, Ismajli, fillimisht tha se projektligji është hartuar me propozim të Kuvendit, i cili i ka rekomanduar Qeverisë që të procedojë Projektligjin për "Trepçën". Në vijim, ai po ashtu sqaroi se, me këtë projektligj, Kuvendi mund të marrë vendim që ndonjë ndërmarrje shoqërore ta heqë nga kompetenca e AKP-së dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme. Në vijim të ekspozeut të tij, ministri i MZHE-së, Ismajli, ka folur për nenin 11.3, 11.4 dhe 11.5, sipas të cilit është paraparë që ndërmarrja publike merr përsipër vetëm ato detyrime ndaj palëve të treta, të cilat një gjykatë kompetente përcakton si detyrime të ndonjë ndërmarrjeje publike. Po ashtu, ai dha sqarime edhe lidhur me nenin 13.1, dispozitë kjo që sqaron mënyrën e shpalljes së falimentimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve publike. Ministri me këtë rast u është përgjigjur edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e komisionit.
Pas kësaj, komisioni e miratoi këtë projektligj, i cili do të procedohet tutje sipas Rregullores së Punës së Kuvendit