Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 22.04.2014




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi dy raporte vjetore financiare dhe katër projektligje.

Raportin vjetor financiar të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2013, e paraqiti Mbikëqyrësi kryesor shtetëror, Ruzhdi Jashari. Pas sqarimeve të tij në vërejtjet e kryetares Hadërgjonaj lidhur me tejkalime në disa pozicione buxhetore, komisioni e përkrahu raportin dhe i rekomandoni Kuvendit miratimin e tij.

U përkrah edhe raporti vjetor financiar i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2013, të cilin e prezantoi kryetari i këtij komisioni, Adnan Merovci.

Në vazhdim, komisioni përkrahu Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me amendamentet e komisionit funksional. Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi, tha se kostoja financiare e këtij projektligji është planifikuar.

Në këtë mbledhje, u përkrahën edhe tri projektligje të tjera, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligji për armë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, si dhe Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.