Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Marte, 22.04.2014
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Ramë Vataj, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2013. Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësuesit e KPM-ës të përbërjes së re, kryesuar nga Adnan Merovci, kryetar i KPM-ës. Komisioni i Pavarur për Media është funksionalizuar më 18 prill të këtij viti.
Në fjalën e tij Adnan Mevorvci theksoi se ky Raport është shqyrtuar dhe është përkrahur edhe nga përbërja e re e KPM-ës. Ndërkaq, duke folur për sfidat që e presin këtë Komision ai përmendi Strategjinë për digjitalizim, si një projekt madhor, i cili tashmë ka marrë një formë, por ende nuk është finalizuar për t' u dorëzuar në Qeveri, në mënyrë që pastaj Qeveria të bëjë edhe Ligjin për Digjitalizim. Ramë Vataj, si dhe diskutuesit tjerë, e vlerësuan si obligim të ngutshëm shpejtimin e digjitalizimit. Nga ajo që u tha në këtë mbledhje, del se diku në qershor të vitit të ardhshëm do të duhej të përfundojë Strategjia e digjitalizimit.
Pas debatit, Komisioni Për Arsim...përkrahu Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2013, duke e proceduar të njëjtin më tutje në Kuvend.