Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Premte, 18.04.2014




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që Kuvendi të mblidhet të mërkurën, më 23 prill, në orën 10:00.


Në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës.


Kryeparlamentari Krasniqi i ka njoftuar pjesëmarrësit në këtë takim se në Kuvend tashmë ka arritur letërkëmbimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evroian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton , por jo edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që sipas praktikave të mëhershme, duhej ta përcillte Qeveria e Kosovës. Ai, ndërkaq, ka pohuar që, nëse deri në seancë arrin në Kuvend teksti iProjektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, ai do të radhitet të ratifikohet. Për të dy çështjet, ka precizuar Krasniqi, deputetët duhet të votojnë për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit.


I vetmi diskutues në këtë takim, Visar Ymeri, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka shprehur habinë e tij për këtë ngutje për një çështje kaq të ndjeshme, e cila madje as që mund të arrijë të diskutohet nëpër komisione parlamentare.


Krasniqi, duke e përmbyllur takimin e sotëm të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ka theksuar se për të gjitha këto çështje do të vendosë seanca plenare e së mërkurës.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës