Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 17.04.2014




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Sabri Hamiti), shqyrtoi tri projektligje dhe një propozim.

Projektligjin për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës, në cilësi të sponsoruesit e paraqiti kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi. Duke arsyetuar rekomandimin e komisionit që ai e udhëheq për miratimin e këtij projektligji në parim, Isufi tha se ky projektligj është hartuar në kuadër të forcimit të kontrollit civil parlamentar dhe mbikëqyrjes demokratike ndaj institucioneve të sigurisë, si dhe me qëllim të avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të personelit të FSK-së e të Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare: Fatmir Xhelili në emër të GP të PDK-së, Anton Çuni në emër të GP të LDK-së, Rexhep Selimi në emër të GP të Vetëvendosjes dhe Myzejene Selmani nga Koalicioni për Kosovën e Re, potencuan rëndësinë e këtij projektligji dhe shfaqën qëndrimet e grupeve të tyre parlamentare për miratimin e tij.

Kuvendi miratoi në parim projektligjin dhe e ngarkoi komisionin përkatës parlamentar për shqyrtimin e mëtejmë të tij, konform procedurave parlamentare.

Në vazhdim, Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë, me amendamente të komisionit funksional, të cilin e paraqiti kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Nait Hasani.

Kuvendi vijoi punën me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, ndërsa raportin me rekomandime të komisionit funksional e arsyetoi deputeti Ramiz Lladrovci. Seanca vijoi me miratimin e amendamenteve, ndërsa për ligjin nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Në këtë mbledhje, Kuvendi emëroi Elez Blakajn anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, me mandat dyvjeçar.

Mbledhja filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ai i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj,

 

 Nga mbledhja plenare e Kuvendit  Nga mbledhja plenare e Kuvendit  Nga mbledhja plenare e Kuvendit  Nga mbledhja plenare e Kuvendit