Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 16.04.2014
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi tri raporte vjetore financiare, një projektligj, një propozim dhe një raport me rekomandime.
Komisioni shqyrtoi raportin vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) për vitin 2013, të cilin e prezantoi drejtori i këtij autoriteti, Driton Gjonbalaj. Kryetarja e komisionit, Hadërgjonaj, vlerësoi se AAC-ja e ka realizuar 93 për qind të buxhetit vjetor, ndërsa e ka tejkaluar atë në disa pozicione.
Pas sqarimeve të drejtorit Gjonbalaj lidhur me këto tejkalime, komisioni e përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës plenare miratimin e tij.
Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe dy raporte të tjera financiare për vitin e kaluar: raportin vjetor financiar të Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim, të cilin e paraqiti kryesuesi i Bordit, Raif Preteni, si dhe raportin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, për të cilin foli Alban Sutaj, kryesues i Këshillit të kësaj agjencie.
Në vazhdim, u shqyrtuan propozimet e Komisionit për Përzgjedhjen e Anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Komisioni vlerësoi se tre të propozuarit i plotësojnë kushtet ligjore për këtë pozitë dhe i rekomandoi seancës që ta emërojë njërin prej tyre.
Komisioni shqyrtoi raporti me rekomandime të grupit punues lidhur me rekomandimet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, përkitazi me funksionimin e agjencive dhe rregullatorëve të pavarur që i raportojnë Kuvendit. Me disa plotësim-ndryshime, komisioni e procedoi për në Kryesi raportin me rekomandime.
Në këtë mbledhje u përkrah edhe Projektligji për mbrojtjen nga zhurma, me amendamentet e komisionit funksional, me konstatimin se nuk përmban kosto shtesë buxhetore.