Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 16.04.2014




Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Fikrim Damka, shqyrtoi sot dy projektligje.

Pasi diskutoi edhe njëherë për disa nga amendamentet e Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, komisioni e përkrahu këtë projektligj dhe e procedoi tutje në Kuvend.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, iu nënshtrua një diskutimi të gjerë nga ana e anëtarëve të komisionit. Neni i vetëm i këtij projektligji, i cili ka të bëjë me lejimin e ekspozimit të produkteve të duhanit nëpër pika të shitjes, i proceduar në Kuvend me 10 mijë nënshkrime, mori përkrahje por edhe kundërshtime nga anëtarë të komisionit. Kundërshtuesit e këtij neni, përfshirë edhe përfaqësuesin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, vlerësuan se miratimi eventual i këtij projektligji, krijon kushte për joshje të të rinjve për të filluar duhanpirjen dhe rrjedhimisht dëmton shëndetin publik. Të tjerë ndërkaq, vlerësuan se do të jetë seanca ajo që do të vendosë lidhur me këtë projektligj.

Me shumicë votash, komisioni e përkrahu dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij në parim.

 

 

 Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale