Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Mërkure, 16.04.2014
Në dëgjimin publik të organizuar sot nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, u diskutua lidhur me Projektligjin për ndërmarrjet publike.
Gjatë debatit të cilin e kryesoi Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit, fillimisht u fol për rëndësinë që ka Ligji, dhe fusha që rregullon ai.
Në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, foli zv. ministri i kësaj ministrie, Ramadan Hasani. Ai tha se projektligji është hartuar me propozim të Kuvendit, i cili i ka rekomanduar Qeverisë që të procedojë Projektligjin për "Trepçën". Në vijim, ai po ashtu sqaroi se, me këtë projektligj, Kuvendi mund të marrë vendim që ndonjë ndërmarrje shoqërore ta heqë nga kompetenca e AKP-së. Sipas këtij projektligji, sqaroi në vijim Hasani, Kuvendi mund të autorizojë Qeverinë, që ndërmarrjet shoqërore, përkatësisht njësit e caktuara organizative të një ndërmarrjeje shoqërore, t'i regjistrojë si ndërmarrje publike, në pronësi të Republikës së Kosovës, nëse Kuvendi vlerëson se ekziston interesi madhor publik.
Në emër të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP) foli, Reshat Fetahu. Ai tha se AKP-ja e përkrah projektligjin, ndërkaq, duke iu referuar çështjes së kombinatit " Trepça", vlerësoi se kjo ndërmarrje duhet trajtuar në tërësinë e saj me të gjitha asetet që posedon.
Ngjashëm u shprehën edhe përfaqësuesit nga "Trepça", përkatësisht, drejtori i saj, Ahmet Tamava. "Trepça", tha ai, ka shtrije në tri shtete, andaj duhet trajtuar me një kujdes të veçantë dhe strategji të mirëfilltë.
Për projektligjin folën edhe përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të cilët u shprehën në favor të projektligjit.
Në emër të INDP-së, foli Burim Ejupi, i cili vlerësoi se neni 11. 3 i projektligjit, duhet ndryshuar, sepse, sipas tij nuk qartëson se çfarë është interes madhor publik.
Pas përfundimit të këtij dëgjimi, ndërkaq, komisioni nuk mbajti mbledhjen e paraparë për sot. Ajo është shtyrë për të martën dhe në të pritet të marrë pjesë edhe ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.