Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës
E Mërkure, 16.04.2014
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u shqyrtua dhe u përkrah raporti vjetor i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2013, pas vlerësimit të anëtarëve të komisionit se raporti është i kompletuar.
Anëtarët e Komisionit, po ashtu kanë shqyrtuar dhe përkrahur edhe amendamentet për Projektligjin Nr. 04/L-241 për Armë.
Përkrahjen e tyre për procedim në mbledhje të Kuvendit e morën edhe amendamentet për Projektligjin nr. 04/L-242 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, si dhe amendamentet për Projektligjin nr. Nr. 04/L-262 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.
Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit u dakorduan që në mbledhjen e radhës të ftojnë në dëgjim publik drejtorin e Inspektoratit Policor të Kosovës.