Lajmet e fundit

Dëgjim publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Marte, 15.04.2014




Zbatimi i rekomandimeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 31 janar 2013, lidhur me Ligjin për Avokatin e Popullit, ishte temë e dëgjimit publik të organizuar sot nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Takimin e kryesoi Rita Hajzeraj-Beqa, nënkryetare e parë e komisionit, e cila foli për qëllimin e debatit dhe rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve.

Për rekomandimet (shtatë sosh), ndërkaq, folën përfaqësuesit e institucioneve përkatëse, si dhe Avokati i Popullit (AP), Sami Kurteshi.

Lidhur me rekomandimet 5, 6 dhe 8, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi tha se AP-ja ka përmbushur rekomandimet e nxjerra nga Kuvendi, ndërsa vuri në pah angazhimin e tyre rreth hartimit të rekomandimeve, e që kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë ndërkombëtar. Ai po ashtu foli edhe për raportet e hartuara prej tyre, pavarësinë buxhetore të AP-së, si dhe nevojën për hapësira të përshtatshme të objekteve të punës.

Për përmbushjen e rekomandimit të tretë, e që ka të bëjë me infrastrukturën fizike dhe kushtet e punës për AP-në, foli ministri i Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar. Ai tha se MAP-i në vazhdimësi është përpjekur që të krijojë kushte sa më të mira për institucionin e AP-së, ndërsa premtoi zgjidhje afatgjate lidhur me hapësirat, pasi që të përfundojë ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë.

Për pavarësinë buxhetore të AP-së, ndërkaq, foli zv. ministri i Ministrisë së Financave (MF), Naim Fetahu. Ai tha se ministria që ai përfaqëson ka siguruar mjetet e mjaftueshme për këtë institucion, duke siguruar po ashtu pavarësinë buxhetore. Sipas tij, MF-ja, ka zbatuar plotësisht rekomandimin e Kuvendit.

Lidhur me rekomandimin një dhe shtatë, e që ka të bëjë me infrastrukturën ligjore, foli drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e kryeministrit, Habit Hajredini. Ai tha se zyra që ai përfaqëson, në bashkëpunim me Komisionin e Venedikut, janë në përfundim të plotësim-ndryshimit të Ligjit për AP-në dhe ligjet e tjera të kësaj fushe.

Pas debatit, komisioni vendosi që për nivelin e zbatimit të rekomandimeve, të diskutojë dhe të marrë vendim në një nga mbledhjet e radhës.

Pas kësaj, komisioni në një mbledhje të veçantë, të cilën e kryesoi kryetarja e komisionit, Suzan Novobërdali, shqyrtoi edhe Raportin me rekomandime për monitorimin e Ligjit për personat të zhdukur.

Rekomandimet i paraqiti dhe arsyetoi, deputetja Albana Gashi, kryesuese e grupit punues për monitorimin e këtij ligji. Pas shqyrtimit të tyre, komisioni i miratoi ato dhe vendosi t'i procedojë tutje në mbledhje plenare të Kuvendit.

 

 

Dëgjim publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...