Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës u takua me Grupin e Grave të Gjilanit
E Marte, 15.04.2014
Deputetet e Kuvendit të Kosovës: Lirije Kajtazi , Salihe Mustafa dhe Suzan Novobërdali, kishin sot një takim me Grupin e Grave të Gjilanit. Kryesuesja e Grupit të Grave të Gjilanit, znj. Jehona Hyseni, duke hapur takimin foli për rëndësinë e angazhimit të asambleisteve të reja në avancimin e pozitës së gruas.
Anëtarja e Bordit të GGD-ës, znj. Suzan Novobërdali, njoftoi të pranishmet me angazhimin e deputeteve që legjislacioni të shikohet nga perspektiva gjinore. Janë disa ligje, si: Ligji për barazinë gjinore, Ligji kundër diskriminimit, Ligji për barazinë gjinore, Ligji për familjen etj., të cilët lidhen me të drejtat dhe interesin e gruas. Deputetja Salihe Mustafa tha se me gjithë angazhimin e madh të grave,përfshirja e grave në institucione është ende e vogël, sidomos në pozita të rëndësishme udhëheqëse. Kurse deputetja Lirie Kajtazi tha se barazia gjinore është e drejtë njerëzore e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës, por ka ngecje në avancimin e pozitës së gruas, sidomos në nivelin lokal. Ajo gjithashtu foli për gjendjen në arsimin fillor e të mesëm dhe angazhimin e komisionit përkatës për këtë çështje.
Më pastaj kryesuesja e Kuvendit të Gjilanit, znj. Valentina Rexhepi - Bunjaku, tha se në komunën e Gjilanit ka avancim të pozitës së grave dhe tani ato zënë rreth 38% të trupave të Kuvendit. Nga gratë udhëhiqet një drejtori , kryesohen tri komitete dhe pritet që numri i tyre të rritet me rastin e ndarjes së Drejtorisë së Kulturës në tre sektorë.
Me këtë rast u fol edhe për rëndësinë e arsimimit, duke u angazhuar për politika sa më të favorshme sa i përket avancimit të mësimnxënies dhe disiplinës në shkolla. Në takim u theksua edhe nevoja e aplikimit të politikave lokale, duke përfshirë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, avancimin e grave në zonat rurale etj.
Takimi u realizua edhe në saje të përkrahjes së NDI-së.