Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 11.04.2014
Mbledhja e rregullt plenare e nisur dje, vazhdoi edhe sot kryesuar nga. dr Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Në këtë mbledhje (një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan disa nga Propozim-vendimet e Qeverisë.
Fillimisht është shqyrtuar Raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2013, të cilin e ka paraqitur deputeti, Ramë Vataj, kryetar i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media. Pas debatit, deputetët e miratuan Raportin, si dhe rekomandimet që përmbante.
Në vijim është shqyrtuar Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës. Në emër të Qeverisë, propozimet i arsyetoi ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja. Ai tha se lista e propozuar është gjithëpërfshirëse, ndërsa të propozuarit janë të denjë për të qenë anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës. Në procesin e votimit, ndërkaq, nuk mori pjesë Grupi Parlamentar i LDK-së, andaj Kuvendi nuk arriti të zgjedhë Këshillin Kombëtar të Shkencës.
Në këtë mbledhje, Kuvendi nuk arriti të zgjedhë as anëtarët e Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Edhe gjatë shqyrtimit të kësaj pike të rendit të ditës, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në debat, e as në procesin e votimit. Me shumicë votash, ndërkaq, është zgjedhur një anëtar në Komisionin për Kërkesa Pronësore. Anëtar i këtij komisioni do të jetë, Adem Vokshi, mandati i të cilit do të jetë një vjeçar.
Mbledhja vijoi me zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media. Zgjedhja e anëtarit të këtij komisioni është bërë me votim të fshehtë, ku rezultoi se kandidati Abit Hoxha mori shumicën e votave (51), kundruall kandidates Albana Beqiraj, e cila mori 26 vota. Në votim morën pjesë 83 deputetë.
Në mungesë të përfaqësuesve nga kabineti qeveritar, ndërkaq, Kuvendi nuk shqyrtoi Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.