Lajmet e fundit

Fjala e kryekuvendarit Krasniqi, mbajtur në ceremoninë solemne me rastin e Ditës së 6-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

E Mërkure, 09.04.2014




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mbajti sot një fjalë rasti në ceremoninë solemne me rastin e Ditës së 6-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë udhëheqësit dhe përfaqësuesit më të lartë të institucioneve shtetërore, arsimore e kulturore të vendit.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryekuvendari Krasniqi në fillim tha :"Më 9 prill të vitit 2008, pa kaluar as dy muaj nga shpallja e Pavarësisë, Kuvendi ynë e miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke sanksionuar në dokumentin e saj më të lartë politik e juridik, pavarësinë, sovranitetin dhe rendin demokratik.

Në Kushtetutën e parë të Kosovës së pavarur, u vendos rendi kushtetues i bazuar në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Me Kushtetutën e saj, Kosova përcaktoi sovranitetin e popullit, sistemin politik demokratik, ekonominë e tregut, pluralizmin politik, zgjedhjet e lira dhe të drejta, demokracinë parlamentare, shtetin e së drejtës dhe ndarjen e kufizimin e pushteteve", pohoi kryekuvendari Krasniqi.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi tha se Kosova respekton dhe mbron të drejtat e komuniteteve pakicë, të cilat sigurohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të sanksionuara në instrumentet në fuqi dhe në përputhje me provizionet e pakos së presidentit Ahtisaari, të cilat si pjesë përbërëse e Kushtetutës sonë, shënojnë nivel të ri ndërkombëtar të të drejtave të pakicave.

Duke folur për rëndësinë e Kushtetutës ai tha se ajo duhet të jetë garanci e pavarësisë, e sovranitetit, e integritetit territorial të vendit dhe e rendit demokratik e ligjor. Këtë lidhje dialektike midis miratimit dhe zbatimit kushtetues e ligjor e bëjnë institucionet e përgjegjshme, funksionale dhe efikase shtetërore, shoqëria e ndërgjegjësuar demokratike me gjithë mekanizmat e saj dhe qytetari i lirë.

Respekti e zbatimi i kushtetutës dhe ligjit fillojnë nga institucionet më të larta dhe mbarojnë te qytetari i zakonshëm, duke u kthyer jo vetëm në obligim, por edhe kulturë të sjelljes dhe qytetërimit. Institucionet e Kosovës, tha ai, burojnë nga Kushtetuta dhe janë të obliguara ta mbrojnë e zbatojnë atë në çdo nen dhe në gjithë hapësirën territoriale të vendit. Kushtetuta është akt i shenjtë që nuk do lejuar askënd ta cenojë, sepse ashtu do të cenohej sovraniteti i vendit, funksionimi i pushtetit shtetëror dhe vetë vullneti i qytetarëve. Pa pavarësinë nuk mund të kishte kushtetutë, por pa zbatimin e plotë të Kushtetutës në gjithë hapësirën e Kosovës, nuk mund të flitet për pavarësi të plotë, theksoi kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi, duke ua uruar njëherësh këtë ditë të shënuar gjithë qytetarëve të Kosovës.

 

Fjala e kryekuvendarit Krasniqi, mbajtur në ceremoninë solemne me rastin e Ditës së 6-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së KosovësFjala e kryekuvendarit Krasniqi, mbajtur në ceremoninë solemne me rastin e Ditës së 6-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës