Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 08.04.2014
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare, shqyrtoi një projektligj dhe një raport vjetor financiar.
Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kredi eksportuese ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria A. G. lidhur me financimin e projektit "Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e- Edukimit". Hollësi rreth këtij projektligji dha ministri i Financave, Besim Beqaj dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Morina.
Në vazhdim, komisioni shqyrtoi Raportin vjetor financiar të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2013, të cilin e prezantoi ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit të këtij komisioni, Ramiz Krasniqi. Duke shkoqitur hollësi nga raporti, Krasniqi njoftoi se gjatë vitit 2013, të hyrat e KPMM-së kapin shifra rekorde, në krahasim me vitet paraprake.
Pas diskutimeve nga ana e deputetëve dhe pyetjeve në adresë të përfaqësuesve të KPMM-së, komisioni e përkrahu raportin dhe i rekomandoi seancës miratimin e tij.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për rekomandimet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me funksionimin e Agjencive dhe Rregullatorëve të Pavarur që i raportojnë Kuvendit. Lidhur me këtë, u krijua grupi punues, i cili do të bëjë shqyrtimin e hollësishëm të tyre dhe komisionit do t'ia paraqesë propozimet.