Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi ...
E Marte, 08.04.2014
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Nait Hasani, ka shqyrtuar Raportin e Punës së Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK) për vitin 2013.
Për të diskutuar për këtë raport, përkatësisht, çështjet e ngritura lidhur me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), në takim ishte edhe ministri i kësaj ministrie, Dardan Gashi, si dhe Arben Çitaku, sekretar në këtë ministri.
Ministri Gashi shfaqi mospajtim lidhur me kualifikimet dhe vlerësimet e këtij agjencioni kundruall MAPH-së. Ai tha se Raporti i AMKMK-së, nuk paraqet punën e AMKMK-së, por në masën më të madhe merret me MAPH-në, gjë që sipas tij, nuk i takon të merret. Pas kësaj, komisioni vendosi që këtë raport ta shqyrtojë edhe në mbledhjen e radhës, ndërkaq, në vijim të mbledhjes miratoi amendamentet e Projektligjit për zhurmën. Ky projektligj do të procedohet tutje për lexim të dytë në mbledhje plenare të Kuvendit.
Në këtë mbledhje, komisioni ka përkrahur edhe propozimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që regjistrimi i bujqësisë të bëhet nga data 1 deri më 20 nëntor të këtij viti.