Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 08.04.2014




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, temë diskutimi ishte Projektligji për Nr.04/L-236 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Me këtë rast, u shfaqën disa mospajtime nëse raporti me rekomandime të këtij projektligji të miratohet dhe të procedohet në mbledhjen e Kuvendit, apo anëtarët e Komisionit të zhvillojnë paraprakisht një takim me përfaqësues të Komisionit Evropian, pasi që KE-ja pati paraqitur disa vërejtje rreth draft-ligjit të projektligjit.

U sqarua se Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje në amendamentet e këtij projektligji, ndërkaq, Komisioni për Buxhet dhe Komisioni për Integrime Evropiane, kanë propozuar amendamente.

Amendamenti i propozuar nga Komisioni për Buxhet ka marrë mbështetjen e anëtarëve të Komisionit, ndërkaq, pesë amendamentet e propozuara nga Komisioni për Integrime Evropiane, nuk u përkrahën nga Komisioni dhe mund të procedohen në seancë plenare pa përkrahje të komisionit.

Krejtësisht në fund, me shumicë votash anëtarët e komisionit përkrahën
raportin me rekomandime të Projektligjit Nr.04/L-236 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit për procedim në mbledhje të Kuvendit.

 

 Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike