Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 07.04.2014
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit lidhur me këtë projektligj, ata u dakorduan që deri në fund të kësaj jave të presin propozim-amendamentet nga përfaqësues të grupeve të interesit, ndërkaq, vendosën që gjatë ditës së hënë të mbajnë një punëtori të përbashkët me organizata të shoqërisë civile.
Pasi u hoq nga rendi i ditës Projektligji për Inspektime, anëtarët e komisionit shqyrtuan në parim Projektligjin për Shqyrtimin dhe Vërtetimin e pasurisë së Pajustifikueshme. Me këtë rast, u sqarua se Ministria e Drejtësisë ka kthyer në komision mendimin lidhur me këtë projektligj dhe sipas këtij institucioni ky projektligj bie ndesh me ligjet në fuqi dhe Kodin penal.
Pasi anëtarja e komisionit, Albulena Haxhiu, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, si propozues të kësaj çështje, arsyetoi qëllimin dhe përmbajtjen e këtij projektligji, anëtarët e komisionit u pajtuan që të kërkojnë një përgjigje nga zyra ligjore e Kuvendit nëse projektligji bie ndesh me ligjet në fuqi.
Më tej, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket rekomandimeve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, lidhur me funksionimin e agjencioneve dhe rregullatorëve të pavarur që i raportojnë Kuvendit, anëtarët e komisionit vlerësuan se rekomandimet e këtij komisioni nuk kanë bazë kushtetuese.
Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-249 për Sigurimin Shëndetësor, si dhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L- 240 për Masat Antidamping dhe Masat Kundërbalancuese.