Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, takoi përfaqësuesit e komuniteteve
E Premte, 04.04.2014
Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, ndikon në të mirë jo vetëm të komuniteteve, por edhe në perspektivën evropiane të tërë rajonit, tha kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi takuan sot përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës dhe lideri i SLS-së, Sllobodan Petroviç si dhe deputet nga radhët e komuniteteve pakicë: Rada Trajkoviç, Mursel Halili dhe Etem Arifi, e njoftuan atë me të arriturat dhe sfidat e komuniteteve në Kosovë. Ata u shprehën në favor të procesit të negociatave që janë duke u zhvilluar në Bruksel në mes të Kosovës e Serbisë dhe vlerësuan se dialogu do të ndikojë në integrimin e plotë dhe të shpejtë të komuniteteve pakicë, në të gjitha institucionet e Kosovës. Si shqetësim të tyre ndërkaq, ata shfaqën çështjen e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Lidhur me këtë, ata kërkuan përkrahje nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Meta, ndërkaq, foli për rëndësinë e integrimit të komuniteteve në institucionet e Republikës së Kosovës dhe vlerësoi se integrimi i tyre i shpejtë, do të ndikojë në të mirë të gjithë rajonit.
Sa i përket dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Meta u shpreh:” Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, ndikon në të mirë jo vetëm të komuniteteve, por edhe në perspektivën evropiane të tërë rajonit”.