Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 03.04.2014
Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetët kanë shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Raportin me rekomandime, në emër të komisionit funksional e ka paraqitur deputeti Fikrim Damka, i cili u ka rekomanduar deputetëve që ta miratojnë projektligjin bashkë me amendamentet e propozuara.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së për këtë projektligj ka folur Anton Çuni, i cili ka arsyetuar amendamentin e propozuar, nr.3, në të cilin përfshihet edhe Ministria e Mbrojtjes dhe formacionet e saja të armatosura. Ky propozim ka zgjuar reagimin e kryeparlamentarit Krasniqi dhe të deputetit Rexhep Selimi, të cilët kanë pohuar se në territorin e Kosovës ka vepruar vetëm një ushtri, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. I të njëjtit mendim ka qenë edhe deputeti Daut Haradinaj. Replikat kanë vazhduar në këtë temë, në të cilën janë përfshirë edhe deputetë të tjerë.
Kryeministti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke marrë pjesë në debat, ka theksuar se ligji ka të bëjë me të gjithë veteranët e UÇK-së, të cilët me sakrificën e tyre ishin faktori vendimtar për lirinë e Kosovës. „Ky është ligji për veteranët dhe jo për politikën ditore të partive politike", ka theksuar Thaçi.
Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, në fjalën tij ka theksuar se diskutimi i sotëm është politik. „Në këtë fazë duhet të flasin për amendamentet e propozuara dhe për përkufizimin e luftës çlirimtare në Kosovë", ka thënë Hamiti duke theksuar definimin e luftës , sipas propozimit të GP të LDK-së.
Me shumicë votash të deputetëve nuk ka kaluar amendamenti nr. 3, siç nuk kanë kaluar edhe pesë amendamente të tjera të propozuara nga ky grup parlamentar. Janë miratuar, ndërkaq, amendamentet e komisionit funksional, si dhe një amendament (nr 18) i deputeti Faton Topalli, ndërkohë që ai vetë e ka tërhequr amendamentin e propozuar prej tij nr. 19.
Në përfundim të debatit , me 73 vota për, asnjë kundër, dhe asnjë abstenim deputetët kanë miratuar Projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke qenë se nuk kanë kaluar amendamentet e propozuara nga GP i LDK-së, deputetët e këtij grupi para se të votohej projektligji kanë dalë nga salla.
Deputetët edhe në këtë seancë kanë bërë deklarime jashtë rendit të ditës,si dhe kanë shtruar pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.
Duke u ndërlidhur me shqetësimin e deputetët Hikmete Bajrami për, për siç është shprehur ajo, fushatën e kryeministrit edhe në Universitetin Publik " Hasan Prishtina", kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se vendim i Qeverisë për zbritjen e çmimit për 50 për qind të regjistrimit të semestrit për studentë, si dhe për strehim në konvikte dhe për ushqim, ka qenë shumë i drejtë, duke shtuar se studentët e vitit të parë do ta kenë regjistrimin e vitit të parë pa kurrëfarë pagese. Kryeministri dhe deputetja kanë bërë replika në këtë temë.
Në mungesë kuorumi kanë mbetur pa u shqyrtuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për linjën kreditore për Fondin e Sigurimeve të Depozitave në Kosovë nëpërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Projektligji për produkte dhe pajisje medicinave.
Këto dy projektligje do të shqyrtohen në vazhdimin e seancës, ditën e hënë, në orën 12:00.