Lajmet e fundit
Vazhdimi i seancës së Kuvendit të 27 marsit
E Enjte, 03.04.2014
Në vazhdim të mbledhjes së 27 marsit, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, u votua për katër pika të rendit të ditës, për të cilat në vazhdimin e 28 marsit të mbledhjes së Kuvendit ishte kryer debati. Kuvendi me shumicë votash miratoi Raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2013, Raportin e Komisionit për Integrime Evropiane për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ripranim dhe Deklaratën për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe Shoqërisë Civile, ndërsa nuk u aprovua Raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2013.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës ishte temë qendrore e kësaj seance. Duke hapur debatin z. Krasniqi njoftoi deputetët se Komisioni për Legjislacion ka hartuar dhe ka rekomanduar që ky Projektligj të miratohet në parim nga ana e Kuvendit.
Duke folur në emër të GP të PDK-ës, Arsim Bajrami theksoi se ky grup parlamentar i jep përkrahje këtij Projektligji, megjithëse Projektligji nuk promovon reforme substanciale zgjedhore. Ndryshimet në Projektligj më tepër merren me administrimin e procesit zgjedhor. Në vijim ai tha se edhe më tutje mbeten të njëjta shtyllat kryesore të sistemit zgjedhor, pra Kosova mbetet një njësi zgjedhore, sistemi është proporcional me lista të hapura, pra bëhet një sistem i efikas zgjedhor, duke përmirësuar kornizën ligjore. Mirëpo, nuk mjafton që vetëm Ligji të jetë i mirë. Kanë mbetur edhe disa çështje për t' u rregulluar, si:numri i kandidatëve që do të votohen, cilësia e bartësit të listës, a do të jetë ai i votuar apo i nominuar sipas subjektit politik etj.
Në emër të GP të LDK-ës, Arben Gashi tha se Projektligji teknikisht mund të procedohet më tutje për shqyrtim. Ai në vijim foli edhe për disa çështje që duhet të diskutohen edhe më, siç janë çështja e bartësit të listës, pragu i përkatësisë gjinore etj. Projektligji për disa arsye është vonuar, por tashmë janë plotësuar kriteret formale për procedim të mëtejmë të tij.
Në tekstin e Projektligjit bëri disa vërejtje, në emër të GP të VV, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se në këtë Projektligj janë përfshirë disa dispozita në mënyrë tinëzare, për të cilat nuk ka vendosur Komisioni, siç është neni 108 b, ku bëhet fjalë për ndarjen e ulëseve në Parlament, që është kontrabandim. Megjithëse po shqyrtohet pas tre vjetëve, Projektligji është larg ndryshimeve përmbajtjesore. Janë bërë vetëm disa ndryshime kozmetike, pra nuk ka reformë zgjedhore, sepse nuk ka vullnet politik për këtë, u shpreh ajo.
Në emër të GP AAK Ardian Gjini tha se është pritur që Projektligji për zgjedhjet të jetë sa më i mirë, meqë në zgjedhjet e vitit 2010 Ligji ekzistues ishte abuzuar skajshmërisht. Duke shtruar pyetjen se sa ndryshon ky Projektligj nga i kaluari, ai u përgjigj se asgjë nuk ndryshon. Këto ndryshime janë vetëm ndryshime administrative,tha ai.
Myzejene Selmani, duke folur në cilësinë e kryetares së GP të KKR-ës, theksoi se ndryshimet e bëra në Projektligj nuk plotësojnë as kërkesat më thelbësore që do të siguronin zgjedhje demokratike.
Mufera Shinik në emër të GP 6+ theksoi se ky grup parlamentar i jep përkrahje këtij Projektligji. Ndërkaq, në vazhdim ajo tha:"Dihet që vendet e garantuara për komunitete janë bërë sipas Kushtetutës së Kosovës, por në marrëveshje me liderët e partive të tjera kërkojmë që vendet e garantuara të vazhdohen edhe për një mandat, sepse edhe komunitetet kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e Kosovës".
Pas deklarimeve të kryetarëve të grupeve parlamentare në debat morën pjesë disa deputetë, të cilët dhanë shumë vërejtje e propozime. U tha se është e nevojshme që në qendrat e votimit të instalohen kamera për të evituar abuzimet, ndërsa angazhim i veçantë i disa folësve ishte që të sigurohen kushtet që edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë në shtetet e ndryshme evropiane,që përbëjnë 30 për qind të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës, të marrin pjesë në zgjedhje, proces që do të mund ta kryenin qoftë me postë elektronike, qoftë në përfaqësitë e Kosovës. U fol edhe për disa çështje teknike të organizimit të zgjedhjeve, pastaj për sigurimin e qendrave të votimit sa më afër qytetarëve, për përcaktim më të mirë të terminologjisë etj.
Pas përfundimit të debatit, deputetët përkrahën në parim Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.