Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 02.04.2014




Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Ramë Vataj, kryetar i Komisionit, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Projektligjin nr.04/L-268 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, para miratimit në parim në Kuvend. Në mbledhje mori pjesë edhe ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Ramë Buja,
i cili i duke i bërë një vështrim këtij Projektligji theksoi se më Ligjin e ri synohet që të rregullohet funksionimi dhe financimi i arsimit të lartë, si dhe të evitohen disa pengesa që kanë pasur reflektim negativ në funksionalizimin e arsimit të lartë. Ai foli edhe për disa çështje konkrete që do të rregullohen shumë më mirë se me ligjin ekzistues, i cili ka pasur defekte të mëdha. Për të gjitha këto, z. Buja pohoi se do të organizohet edhe një debat publik me institucionet përkatëse, me qëllim të evitimit të mangësive të ndryshme.

Gjatë debatit, në të cilin morën pjesë:Teuta Haxhiu,Bekim Haxhiu, Sadri Ferati ,Eqrem Kryeziu e Ramë Vataj, u dhanë shumë sugjerime, në funksion të përmirësimit të përmbajtjes së Ligjit të ardhshëm. U theksua se Ligji i ri duhet të jetë shumë më i avancuar se ai i deritashmi, i cili u bë me nguti, ai duhet të mundësojë konkurrencë të shëndoshë të vlerave, të mundësojë ndarje të drejtë të përgjegjësive në universitete, të shikohet çështja e Këshillit Drejtues, njësive akademike t' iu jepet më shumë autonomi; të përcaktohet se kush e zgjedh stafin menaxherial; senati mos të ketë anëtarë nga radhët e dekanëve dhe atë të mos e drejtojë rektori; të bëhët ndarja e aspektit pedagogjik nga ai shkencor; të përcaktohet me ligj kuota e pranimit të studentëve të huaj etj.Pas debatit, Komisioni përkrahu procedimin e mëtejmë të këtij Projektligji për shqyrtim të parë në Kuvend.

Ministri Ramë Buja njoftoi anëtarët e Komisionit se në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për zbritjen në shkallën 50 për qind të tarifave për regjistrim të studentëve, si të atyre në fazën baqellor, ashtu edhe të atyre master, si dhe të zbriten shpenzimet e strehimit dhe të ushqimit të studentëve që banojnë në Qendrën e Studentëve të Prishtinës.

Komisioni ne rendin e ditës kishte edhe çështjen e mbipeshës së çantave të nxënësve, të cilat po ndikojnë negativisht në zhvillimin fizik të nxënësve. Duke folur për këtë çështje ministri Buja tha se një ndër masat që po ndërmerr Ministria e Arsimit është pajisja e shkollave me sirtarë të veçantë, në të cilat nxënësit do të linin disa libra, ndërsa kurrikulat e reja gjithashtu do të ndikojnë në zvogëlimin e peshës së librave. U dha propozimi që një libër të ndahet në më shumë pjesë, mirëpo u tha se kjo do të ndikonte në koston e çmimit të librave. Në zvogëlimin e peshës së librit u tha se do të ndikonte shumë edhe letra që do të përdorej për botimin librave, përkatësisht ajo të jetë më e lehtë, si dhe kopertonat që do të mund të ishin shumë më të holla.

Komisioni, në këtë mbledhje, miratoi edhe Raportin e grupit punues për mbikëqyrjen e Ligjit të Arsimit të Lartë, së bashku me rekomandimet që u harmonizuan në Komision, të cilat njëherësh u proceduan më tutje në Kuvend.

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media