Lajmet e fundit

Kryeparlamentari priti përfaqësuesit e Nismës Legjislative të Qytetarëve

E Mërkure, 02.04.2014




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot përfaqësuesit e Nismës Legjislative të Qytetarëve për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 038-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Përfaqësuesit e kësaj nisme: Hilmi Jashari, Kushtrim Kaloshi dhe Agon Gashi, e kanë njoftuar kreun e Kuvendit se në kuadër të kampanjes " Drejtësia dhe Qytetarët", që ka për qëllim mbrojtjen efektive të të drejtave të viktimave , të cilat u janë shkelur nga shteti, kanë organizuar një peticion në të gjitha qendrat e Kosovës, gjatë të cilit kanë mbledhur nënshkrimet e 13300 qytetarëve për amandamentimin e nenit 69 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Duke ia dorëzuar Kuvendit të Kosovës peticionin në fjalë, ata kanë pohuar se ligji aktual parasheh vetëm kompensimin material, të viktimave që u janë shkelur të drejtat nga shteti, kurse me amendamentin e propozuar do të parashihet të kompensohen edhe dëmet jomateriale, si shqetësimi mendor, dhembja dhe vuajtja.

Duke i përgëzuar për angazhimin e tyre në këtë nismë në favor të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, kryeparlamentari Krasniqi, ka pohuar se peticioni do t'u dorëzohet Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, si dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilët duhet të përgatisin raportet me rekomandime për Kuvendin, para se të radhitet për shqyrtim në seancë plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

 

 

 

Kryeparlamentari priti përfaqësuesit e Nismës Legjislative të QytetarëveKryeparlamentari priti përfaqësuesit e Nismës Legjislative të Qytetarëve