Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 01.04.2014




Zbatimi i Ligjit për Aviacionin Civil, ishte tema e debatit të sotëm në mbledhjen e
Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit.

Për nivelin e zbatimit të këtij ligji, sfidat dhe të arriturat në këtë sektor, njoftoi ministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota. MI-ja, tha ministri Mujota, përcjell nga afër zbatimin e ligjit, duke respektuar po ashtu, të gjitha autoritetet institucionale, në domenin e të cilave bie zbatimi i ligjit. Ai tutje shtoi se ministria që ai udhëheq, ka përmbushur objektivat e ligjit, të përshkruara sipas standardeve të aviacionit civil të BE-së. Duke folur për politikat zhvillimore të këtij sektori, Mujota vuri në pah dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar "Adem Jashari", të Prishtinës. Lidhur me këtë, ai tha se me koncensionimin e AP-së, janë shënuar të arritura të mëdha në zhvillimin e këtij sektori. Këtë ai e ilustroi me faktin se nga 1.2 milion vajtje-ardhje sa kanë qenë më herët, pas dhënies me koncesion të aeroportit janë realizuar 4.5 milion vajtje -ardhje. Kjo tregon, tha ai, se Aeroporti Ndërkombëtar "Adem Jashari", i Prishtinës, mbetet lider në rajon sa i përket kapacitetit.

Po ashtu, ai ka njoftuar edhe për investimet e realizuara në këtë aeroport, për të cilat tha se arrijnë në 130 milion euro. Ai njoftoi edhe për rregullimin e hapësirave të ulëta dhe të larta të aviacionit civil në Kosovë, si dhe për lejet dhe licencat e operuesve në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari", të Prishtinës. AP-ja, tha në vijim Mujota, është aeroporti më konkurrues në rajon, duke iu referuar edhe Raportit të Progresit të KE-së për Kosovën.

Në vijim, ministri Mujota u është përgjigjur edhe pyetjeve që shtruan anëtarët e komisionit.

Pas këtij takimi, komisioni do të hartojë një raport, rekomandimet e të cilit do të paraqiten edhe në mbledhje plenare të Kuvendit.

Në mbledhjen e sotme, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu në parim edhe Projektligjin për ndërmarrjet publike.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...