Lajmet e fundit
Një delegacion i Kuvendit të Kosovës po qëndron në Sofje të Bullgarisë
E Marte, 01.04.2014
Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, në përbërje: Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe nënkryetar i Komisionit për Integrime Evropiane (KIE), Blerta Deliu-Kodra, anëtare e KIE-së, Hydajet Hyseni, nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Emilija Redzepi, anëtare e po këtij komisioni, po marrin pjesë në Seminarin Ndërparlamentar, me temën: "Roli i Parlamentit në Procesin e negociatave për anëtarësim në BE", i cili po zhvillon punimet në Sofje të Bullgarisë (31 mars - 1 prill 2014).
Ky seminar është organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Sekretariati për Bashkëpunim Rajonal Parlamentar në Evropën Juglindore.
Në seminar është diskutuar për procesin e negocimit për anëtarësim në BE, me theks të veçantë rolin e Parlamentit në zhvillimin e strukturave dhe mekanizmave të nevojshëm, si dhe shkëmbimin e përvojave në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore në këtë proces.
Nënkryetari Xhavit Haliti, duke folur në emër të delegacionit të Kosovës, bëri një përshkrim të gjendjes në Republikën e Kosovës lidhur me procesin e integrimit evropian dhe rolin e Kuvendit në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Ai tha se Kosova është duke vazhduar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa shtoi se institucionet e Kosovës kanë ndërtuar një konsensus të përgjithshëm politik dhe institucional sa i përket procesit të integrimit evropian të Kosovës.
Në këtë seminar morën pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore, si dhe disa deputetë të Parlamentit Evropian e përfaqësues të tjerë të BE-së.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u takua me Grupin e Miqësisë parlamentare Bullgari - Kosovë, të Kryesuar nga Georgi Andonov, i cili përshëndeti delegacionin dhe shprehu kënaqësinë e tij për vizitën. Ai tha se Bullgaria ka marrëdhënie të mira me Kosovën. Kurse nënkryetari Haliti, në emër të delegacionit, e falënderoi Bullgarinë për bashkëpunimin dhe mbështetjen për Kosovën, ndërsa kërkoi që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë.
Në shoqërim të delegacionit të Kuvendit ishte edhe Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba, i cili gjithashtu priti delegacionin ne Ambasadën e Kosovës në Sofje.